Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte konfirmoi sot vendosjen e trupave të Koresë së Veriut në Rusi, duke theksuar se ky është një “përshkallëzim i rrezikshëm i luftës”.
Sot në mëngjes, një delegacion nga Republika e Koresë, informoi Këshillin e Atlantikut të Veriut dhe partnerët e tjerë, Australinë, Japoninë dhe Zelandën e Re, për përfshirjen e Koresë së Veriut në luftën Rusisë kundër Ukrainës.
“Mund të konfirmoj se trupat e Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi dhe se njësitë ushtarake të Koresë së Veriut janë dislokuar në rajonin e Kurskut”, tha Mark Rutte sot nga Brukseli, menjëherë pasi Këshilli i Atlantikut të Veriut u informua nga Republika e Koresë.
Sipas NATO-s, vendosja e trupave të Koresë së Veriut përfaqëson së pari, një përshkallëzim të rrezikshëm në përfshirjen e vazhdueshme të Koresë së Veriut në luftën e Rusisë, së dyti, një shkelje tjetër të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe së treti, një zgjatje të rrezikshme të luftës së Rusisë.
“NATO i bën thirrje Rusisë dhe Koresë së Veriut që të ndalojnë menjëherë këto veprime”, tha Rutte më vonë, duke shtuar: “Thellimi i bashkëpunimit ushtarak midis Rusisë dhe Koresë së Veriut përbën një kërcënim për sigurinë e Indo-Paqësorit dhe Atlantikut të Veriut. Ai minon paqen në gadishullin Korean dhe nxit luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Pheniani tashmë e ka furnizuar Rusinë me miliona municione dhe raketa balistike që po nxisin një konflikt të madh në zemër të Evropës dhe po minojnë paqen dhe sigurinë globale.”
Në këmbim, Presidenti Putin i ofron Koresë së Veriut teknologji ushtarake dhe mbështetje tjetër për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare.
Rutte gjithashtu theksoi se vendosja e trupave të Koresë së Veriut në Kursk është një shenjë e dëshpërimit në rritje të Putinit.
“Më shumë se 600,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në luftën e Putinit dhe ai nuk është në gjendje të vazhdojë ofensivën e tij në Ukrainë pa mbështetjen e huaj. Kjo është për shkak se ukrainasit po luftojnë me guxim, elasticitet dhe shkathtësi”, shtoi ai.
Në fund, Rutte tha se “Aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të mbështesin një Ukrainë të lirë dhe demokratike, sepse siguria e Ukrainës është siguria jonë”. Ai shtoi se sot u diskutua nevoja për të forcuar më tej mbështetjen ushtarake për Ukrainën./vizionplus.tv