Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nuk beson që Hamasi do t’i kthejë pengjet izraelite deri në afatin e parashtruar nga ai, që është mesditja e së shtunës.
Duke folur në një konferencë për media me Mbretin Abdullah të Jordanisë pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë të martën, Trumpi ka thënë se mendon që Hamasi dëshiron të luajë rolin e të ashpërit.
“Unë kam afat të shtunën dhe nuk mendoj se ata do ta bëjnë këtë. Mendoj se ata duan të luajnë të fortit, por do të shohim se sa të fortë janë”, ka deklaruar Trumpi.
Hamasi ka pezulluar të hënën lirimin e tri pengjeve të parapara për t’u liruar të shtunën, me arsyetimin se Izraeli e ka shkelur armëpushimin e hyrë në fuqi më 19 janar.
Ndërkohë, Mbreti Abdullah i Jordanisë ka thënë se Egjipti do të paraqesë një plan për të punuar me SHBA-në mbi propozimin e Trumpit për marrjen e Gazës.
“Le të presim derisa egjiptianët të vijnë dhe t’ia paraqesin atë presidentit”, ka thënë ai duke shtuar se duhet të shikojë se çfarë ishte në interesin më të mirë të vendit të tij, Jordanisë.
Mbreti Abdullah po ashtu ka deklaruar se është i gatshëm të pranojë 2,000 fëmijë të sëmurë nga Rripi i Gazës.
Presidenti amerikan Trump u pajtua me propozimin e mbretit Abdullah duke thënë se është “një gjest i mirë”.