28.3 C
Tetovo
E shtunë, 19 Korrik, 2025
BallinaLajmeTrumpi nuk humb kohë,padit Wall Street Journal dhe Rupert Murdoch për raportin...

Trumpi nuk humb kohë,padit Wall Street Journal dhe Rupert Murdoch për raportin mbi Epsteinin

Presidenti amerikan Donald Trump ka paditur shefin e Fox News, Rupert Murdoch dhe dy gazetarë të gazetës Wall Street Journal për shpifje dhe fyerje, pas pretendimeve se ai i kishte dërguar abuzuesit seksual Jeffrey Epstein një letër me përmbajtje të pahijshme dhe një skicë të një gruaje të zhveshur.

Padia u ngrit të premten në Gjykatën Federale në distriktin jugor të Floridas, në Miami.

Trump kërkon së paku 10 miliardë dollarë dëmshpërblim.

Shkak për këtë veprim ligjor ishte një artikull i Wall Street Journal, ku thuhej se Trumpi i kishte dërguar Epsteinit një urim për ditëlindjen e 50-të në vitin 2003, që përmbante një vizatim me nënkuptime seksuale dhe një referencë për “sekretet” që kishin ndarë.

Ky urim dyshohet të ketë qenë pjesë e një albumi ditëlindjeje të përpiluar nga Ghislaine Maxwell, e cila aktualisht po vuan dënim prej 20 vjetësh në Florida, pasi u shpall fajtore për trafikim seksual dhe akuza të tjera në vitin 2021.

Trump e ka mohuar këtë raportim, duke e quajtur atë të rremë dhe të trilluar. Ai tha në rrjetin e tij Truth Social se e kishte paralajmëruar Murdochin për padinë që planifikonte ta ngrinte.

Jeffrey Epstein ishte një financier dhe manjat amerikan, i cili u bë i njohur në publik jo për sukseset financiare, por për skandalin e madh të trafikimit seksual të të miturve, që përfshiu edhe figura të fuqishme politike, biznesi e shoubizi.

Epstein fillimisht u arrestua në vitin 2008 dhe u dënua me 13 vjet burgim për abuzim seksual ndaj të miturave – që u konsiderua si dështim i drejtësisë amerikane. Në vitin 2019 u arrestua për herë të dytë, kësaj radhe për trafikim seksual të të miturave në shkallë të gjerë.  Më 10 gusht të 2019-s, ai u gjet i vdekur në qelinë e tij. Ngjarja u shënua zyrtarisht si vetëvrasje, megjithatë edhe sot ekzistojnë teori të ndryshme për vdekjen e tij, veçanërisht pasi ishte dëshmitar kyç që implikonte figura të fuqishme.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments