Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump, në prag të inaugurimit të hënën, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun kinez, Xi Jinping. Ka qenë vetë Trump ai që ka dhënë detaje nga telefonata e zhvilluar me udhëheqësin kinez këtë të premte.
“Sapo fola me presidentin kinez Xi Jinping. Thirrja ishte shumë pozitive si për Kinën ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara”, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump.”Pres që së bashku të zgjidhim shumë probleme, dhe duke filluar që tani”, shton presidenti.
“Ne diskutuam mbi shumë tema të ndryshme si bilancin tregtar, Fentanyl, TikTok dhe shumë tema të tjera. Presidenti Xi dhe unë do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë botën më paqësore dhe të sigurt!”, theksoi Trump.
Kjo ishte telefonata e parë mes dyshes që nga zgjedhja e Trump në nëntor. Ka një sërë vështirësish diplomatike dhe ekonomike me të cilat përballen marrëdhëniet SHBA-Kinë, shkruan Reuters duke theksuar se “temë e diskutimit ka qenë edhe Tajvani”.
“Xi ngriti shqetësimet e Kinës për Tajvanin, të cilin Pekini e konsideron pjesë të territorit të tij dhe tha se shpresonte që SHBA-ja ta trajtojë atë me shumë kujdes. “Çështja e Tajvanit ka të bëjë me sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të Kinës dhe ai shpreson se pala amerikane do ta trajtojë atë me kujdes”, raporton Reuters, duke iu referuar medias shtetërore kineze, CCTV.
Në mandatin e tij të parë, Trump ofroi mbështetje të fortë për Tajvanin, edhe nga aspekti i armatimeve, por gjatë fushatës së vitit të kaluar, republikani tha se ishulli duhet t’i paguajë SHBA-së për t’u mbrojtur.
Telefonata Trump-Xi Jinping vjen në një moment kur Gjykata Supreme amerikane vendosi ndalimin e TikTok në SHBA, duke nisur nga kjo e diel, 19 janar, nëse kompania amë e aplikacionit, ByteDance, nuk shet aksionet.
ByteDance e ka sfiduar ligjin dhe ka argumentuar se ai shkel mbrojtjen e lirisë së fjalës për më shumë se 170 milionë përdoruesit e aplikacionit në SHBA. Por, ky argument u refuzua nga gjykata më e lartë e vendit dhe do të thotë se TikTok tani duhet të gjejë një blerës të miratuar për versionin amerikan të aplikacionit ose do të përballet me një ndalim total nga dita e diel.