Të premten, Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara miratoi kërkesën e administratës Trump për të revokuar në mënyrë kategorike statusin e “lejeve humanitare” për mbi 530 mijë emigrantë nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela, duke urdhëruar largimin e tyre nga vendi, shkruan “ABCNews”.
Gjykata nuk dha shpjegime për vendimin që ka rrëzuar përkohësisht vendimin e mëparshëm të një gjykate më të ulët, e cila kishte ndaluar zbatimin e menjëhershëm të kësaj politike.Në mars, Departamenti i Sigurisë Kombëtare revokoi mbrojtjen për emigrantët nga pesë vende, të cilën ua kishte dhënë administrata Biden. Agjencia u dha atyre një afat prej 30 ditësh për të lënë vendin, përveç nëse kishin ndonjë status tjetër ligjor që i mbronte.
Disa emigrantë dhe organizata për të drejtat e emigrantëve paditën administratën, duke pretenduar se ligji federal nuk i jep sekretares së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Kristi Noem, të drejtën të heqë në mënyrë kategorike “lejen humanitare” — por vetëm rast pas rasti. Një gjykatë federale i dha të drejtë këtij pretendimi.Megjithatë, vendimi i Gjykatës Supreme do të lejojë që administrata Trump ta zbatojë ndryshimin e politikës edhe pse procesi ligjor do të vazhdojë në gjykatat e nivelit më të ulët.
Më herët këtë muaj, Gjykata Supreme lejoi gjithashtu administratën Trump t’i japë fund statusit të “Mbrojtjes së Përkohshme” për rreth 350 mijë venezuelanë që kishin qenë të mbrojtur nga deportimi dhe kishin të drejtë pune në SHBA.Ndërkohë që administrata Trump ka ndërmarrë hapa për të kufizuar imigrimin dhe për të refuzuar refugjatët nga vende si Afganistani dhe Haiti, ajo kohët e fundit ka pranuar refugjatë të bardhë nga Afrika e Jugut — duke nxitur kritika të ashpra.
Administrata ka thënë se në Afrikën e Jugut po ndodh “gjenocid” ndaj fermerëve të bardhë afrikanë, pretendim që është hedhur poshtë nga presidenti i Afrikës së Jugut gjatë një takimi me presidentin Donald Trump në Zyrën Ovale.