Presidenti amerikan thotë se negociatorët janë afër përfundimit për armëpushimin në Gaza dhe marrëveshjes bërthamore
Washington
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u shpreh optimist i pyetur për mundësinë e përfundimit të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, si dhe për një pakt të paarritshëm prej kohësh mbi programin bërthamor të Iranit, raporton Anadolu.
“Janë shumë afër një marrëveshjeje për Gazën dhe ne do t’ju njoftojmë për këtë gjatë ditës ose ndoshta nesër, dhe kemi një shans për këtë”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.
“Mendoj se kemi një shans për të bërë një marrëveshje edhe me Iranin. Ata nuk duan të hidhen në erë. Ata do të preferonin të bënin marrëveshje. Dhe mendoj se kjo mund të ndodhë në një të ardhme jo shumë të largët”, shtoi presidenti amerikan.
Hamasi tha të premten se po zhvillon konsultime me grupe të tjera palestineze mbi propozimin e fundit për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve që mori nga i dërguari i SHBA-së pér Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, të enjten.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të enjten se e ka pranuar draftin e Witkoffit për armëpushimin.
Plani 13-pikësh i SHBA-së parasheh një armëpushim 60-ditor, lirime të ndërsjella të pengjeve dhe të burgosurve, dhe bisedime të strukturuara mbi të ardhmen e Gazës, së bashku me lirimin nga Hamasi të dhjetë robërve të gjallë izraelitë dhe mbetjeve të 18 të tjerëve në dy faza, sipas mediave izraelite dhe amerikane dhe burimeve palestineze.
Lidhur me Iranin, Trump tha se një marrëveshje bërthamore do të ishte një “gjë e shkëlqyer”, duke mbajtur qëndrimin e tij të deklaruar prej kohësh se Iranit nuk mund t’i lejohet të ketë një armë apokaliptike.
“Ata nuk mund të kenë armë bërthamore. Është shumë e thjeshtë dhe mendoj se jemi mjaft afër një marrëveshjeje me Iranin”, tha ai.
Irani dhe SHBA-ja kanë zhvilluar pesë raunde negociatash indirekte në Muskat dhe Romë, të ndërmjetësuara nga Omani, që nga muaji i kaluar, pa ndonjë përparim të rëndësishëm.
Pika qendrore e mosmarrëveshjes ka mbetur programi i pasurimit të uraniumit të Iranit. Ndërsa zyrtarët amerikanë kërkojnë shfuqizimin e plotë, Teherani këmbëngul se do të vazhdojë pasurimin “me ose pa një marrëveshje” me Washingtonin.