Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të vendosë një tarifë 100 për qind ndaj çdo vendi anëtar në organizatën BRICS, e cila përpiqet të zëvendësojë dollarin amerikan në tregtinë ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
Trump i referohej aleancës ekonomike të Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut, tani e zgjeruar duke përfshirë Iranin, Egjiptin, Etiopinë dhe Emiratat e Bashkuara Arabe.
“Ideja që vendet e BRICS-it po përpiqen të largohen nga dollari derisa ne qëndrojmë pranë dhe vëzhgojmë, ka përfunduar”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
Trump kërkoi që vendet e BRICS-it të angazhohen për përdorimin e dollarit si monedhë rezervë dhe të përmbahen nga krijimi i një monedhe të re ose alternativa mbështetëse.