Pas dorëheqjes së kryeministrit kanadez, Justin Trudeau, presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump ka ngjallur polemika duke sugjeruar bashkimin e Kanadasë me SHBA-në.
“Shumë njerëzve në Kanada u pëlqen të jenë shteti i 51-të. Shtetet e Bashkuara nuk mund të vuajnë më deficitet dhe subvencionet masive tregtare që kanadasë i duhen për të qëndruar në këmbë. Justin trudeau e dinte këtë dhe dha dorëheqjen”, tha Trump. Duke iu referuar Trudeaut si “guvernator” dhe jo si kryeministër, Trump tha se Kanadaja do të ishte më e sigurt nëse do të bashkohej me Amerikën.
“Nëse Kanadaja do të bashkohej me SHBA-në, nuk do të kishte tarifa, taksat do të uleshin shumë dhe ato do të ishin plotësisht të sigurta nga kërcënimi i anijeve ruse dhe kineze që i rrethojnë vazhdimisht. Së bashku, çfarë kombi i madh do të ishim”, deklaroi Trump.
Trudeau njoftoi dorëheqjen mes pakënaqësisë në rritje brenda partisë së tij dhe vlerësimeve të ulëta të opinionit publik, duke ngritur shqetësime rreth aftësisë për të fituar zgjedhjet e ardhshme kundër një opozite konservatore në rritje./vizionplus.tv