Presidenti republikan Donald Trump nënshkroi të enjten një urdhër ekzekutiv që u kërkon qyteteve dhe shteteve të shpërbëjnë kampet e të pastrehëve dhe të zhvendosin banorët e tyre në qendra trajtimi.
Ky vendim ka nxitur reagime të forta nga organizatat që mbrojnë të drejtat e të pastrehëve, të cilat paralajmërojnë se masa mund ta përkeqësojë më tej krizën.
Sipas urdhrit, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi urdhërohet të rrëzojë precedentët ligjorë si në nivel shtetëror ashtu edhe federal, dhe të mbështesë iniciativat lokale për shpërbërjen e këtyre kampeve. Megjithatë, nuk është e qartë se si Bondi mund të realizojë këto ndryshime ligjore në praktikë.Ky zhvillim pason vendimin e Gjykatës së Lartë Federale të SHBA-së në vitin 2024, i cili lejon komunat të ndalojnë kampet e të pastrehëve në hapësira publike.
Koalicioni Kombëtar për të Pastrehët (National Coalition for the Homeless) dënoi urdhrin, duke theksuar se ai minon mbrojtjen ligjore për njerëzit pa strehë dhe ata me probleme të shëndetit mendor. Organizata kritikoi historikun e administratës Trump për “mospërfillje të të drejtave civile dhe procedurave të rregullta ligjore”, dhe paralajmëroi se masa të tilla rrezikojnë ta thellojnë më shumë krizën e strehimit në SHBA.Në urdhrin ekzekutiv, Presidenti Trump shprehet se të pastrehët që jetojnë në rrugë duhet të transferohen në qendra trajtimi për probleme të shëndetit mendor apo në qendra rehabilitimi. Por ai nuk paraqet ndonjë plan për zgjerimin e këtyre qendrave apo për sigurimin e strehimit të përballueshëm në afat të gjatë.
Në vitin 2024, numri i të pastrehëve në SHBA u vlerësua mbi 770 mijë – një rritje prej 18%, sipas Këshillit Ndërinstitucional për Çështjet e të Pastrehëve. Nga këta, 36% jetonin në rrugë, automjete apo në kampe të përkohshme.Qendra Kombëtare për Ndihmë Ligjore ndaj të Pastrehëve (National Homelessness Law Center) paralajmëroi se ky urdhër, i kombinuar me shkurtime në fondet për shëndetësi dhe strehim, do të çojë në rritje të mëtejshme të numrit të të pastrehëve.
Qendra e cilësoi të papranueshme transferimin e detyrueshëm të të pastrehëve në qendra trajtimi, duke e quajtur “të pamoralshme, të paefektshme dhe të paligjshme”.
Sipas organizatave të tjera, ky urdhër rrezikon të kriminalizojë vetë gjendjen e të qenit i pastrehë, duke detyruar njerëzit të largohen nga rrugët pa pasur garanci për një vendbanim alternativ.
Ekspertët e fushës e lidhin krizën me mbylljen e spitaleve psikiatrike në vitet 1960 dhe 1970, dhe me kalimin e trajtimit të pacientëve në nivel komuniteti, pa financime të mjaftueshme dhe me zbatime të dobëta. Kjo la shumë njerëz me probleme të rënda shëndetësore pa trajtim dhe pa strehë.
Të tjera arsye që përmenden për përkeqësimin e situatës janë mungesa kronike e strehimit të përballueshëm, rritja e varfërisë dhe shkurtimet në programet e ndihmës publike për strehim.
Urdhri i Trump parashikon përparësi në dhënien e fondeve dhe donacioneve për qytetet që kanë ndaluar kampet në hapësirat publike, përdorimin e substancave narkotike dhe zaptimet e ndërtesave.Gjithashtu, urdhri ndalon financimin për krijimin e hapësirave të kontrolluara për përdorimin e drogave, një praktikë që në disa qytete përdoret si masë për reduktimin e rreziqeve shëndetësore.