MPB njofton se sot në hyrje të Gostivarit është parandaluar transporti ilegal i 32 kilogramëve marihuanë, në vlerë të 120.000 eurove, shkruan TV21. Nga MPB shtojnë se droga po transportohej nga Shqipëria, në Maqedoninë e Veriut.Në vendngjarje janë ndaluar dy vetura të pasagjerëve “Mercedes” me targa të Shkupit. I pari, në të cilin ndodheshin K.L.(35) nga Shkupi me banim në Matkë të Epërme, V.B.(46) nga Shkupi me banim në Matkë të epërme dhe shtetasi shqiptar G.GJ.(42), e që ishte paralajmërues. Ndërsa në të dytin, të cilin e drejtonte M.A. (44) nga fshati Gërçec, transportohej droga. Në shenjë ndalimi të dhënë nga punonjësit e policisë, automjeti nuk është ndalur dhe ka tentuar të largohet, por shumë shpejt është ndalur dhe në bagazhin e tij janë gjetur tre thasë me rreth 32 kilogramë marihuanë”, thonë nga MPB.
Sipas MPB-së, grupi kriminal organizohej nga shtatori i vitit 2023 nga shtetasi shqiptar, i cili kërkohej me urdhër arresti në Republikën e Shqipërisë dhe në vende e tjera të Bashkimit Europian, gjithashtu për shitje të paligjshme të lëndëve narkotike.
“Ai në periudhën nga shtatori e deri më tani ka organizuar transportin e drogës nga Shqipëria për në vendin tonë, pas çka ka organizuar rrjetin e rishitësve në Shkup. Personat janë privuar nga liria, ndërsa gjatë ditës me urdhër të gjykatës janë kryer kontrolle në pesë lokacione në Shkup, gjatë të cilave është gjetur marihuanë dhe prova të tjera materiale për përfshirjen e tyre në kryerjen e veprës penale. Pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit, ndaj personave do të parashtrohet kallëzim penal përkatës”, shtojnë nga MPB.