Një avion pasagjerësh i kompanisë American Airlines me 64 persona në bord dhe një helikopter Black Hawk i Forcave të Armatosura amerikane u rrëzuan në lumin Potomak pas një përplasjeje në ajër pranë aeroportit kombëtar të Uashingtonit “Reagan” të mërkurën në mbrëmje, njoftuan zyrtarët.
Një burim i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se ka shumë viktima, por bilanci është i paqartë. Nuk ka ende ndonjë të dhënë mbi shkaqet e aksidentit. Të gjitha fluturimet nga aeroporti “Regan” janë anuluar, ndërsa helikopterë nga agjencitë e zbatimit të ligjit përgjatë gjithë rajonit shkuan në vendngjarje në kërkim të të mbijetuarve.
Gazeta “Washington Post”, duke cituar burime, raportoi se nga uji janë nxjerrë disa trupa. Sipas gazetës, deri tani nuk ka pasur të mbijetuar.
Senatori nga Teksasi, Ted Cruz tha në një postim në rrjetet sociale “se e dimë që ka viktima”, por nuk dha më shumë hollësi, transmeton Zëri i Amerikës.