Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha sot se në qytetin e Shkupit, në komunat Tetovë dhe Kumanovë, si dhe përgjatë korridoreve “8” dhe “10” nga 1 janar 2026 do të implementohet projekti “Qyteti i sigurt, shteti i sigurt”.Ai sqaroi se deri në mesin e vitit të ardhshëm do të mbulohet i gjithë territori i vendit.
Informoi se ndryshimet në ligjin për siguri në komunikacion dhe rrugë në të cilat janë implementuar dispozitat për “Qyteti i sigurt” dje në Kuvend e kaluan leximin e parë para komisionit amë. Toshkoski tha se me këtë ligj nuk parashikohet ndëshkim i qytetarëve me qëllim që të mbushet buxheti por se qëllimi i ligjit është të shpëtohet jetë njerëzore.
“Qëllimi i këtij sistemi nuk është të ndëshkohen qytetarët e Maqedonisë, qëllimi i këtij sistemi nuk është të mbushet buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, qëllimi i këtij sistemi është të shpëtojë të paktën një jetë njerëzore. Shifrat janë të tmerrshme. Në vitin 2024, kemi 142 viktima si pasojë e mosrespektimit të rregullave të trafikut dhe aksidenteve të trafikut që kanë ndodhur. Jam i sigurt se shifrat do të ulen me vënien në funksion të sistemit”, theksoi Toshkovski.
Ministri theksoi se kontrollet do të vazhdojnë dhe se do t’i ashpërsojnë dënimet, veçanërisht në kuadër të Kodit Penal, kështu që përveç gjobave me para, do të shqiptohen edhe dënime me burg dhe konfiskim i përhershëm i automjeteve me të cilat janë kryer veprat penale.