Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot në seancën për pyetje deputetësh në Kuvend foli për largimin e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi nga Maqedonia e Veriut, përcjell TV21. Toshkovski tha se polici kufitar bëri “gabim kardinal”, ndërkaq tha se i njëjti është shqetësuar apo emocionuar nga përmasat e figurës politike që po largohej nga Maqedonia, por edhe nga vetura luksoze me të cilën po transportohej i njëjti. Ministri premtoi se do të hetojë nëse rasti ka qenë i organizuar, apo koincidencë.
“Personin që po e përmendni, është fakt që është i pakapshëm për organet e ndjekjes. Të dielën, në orët e hershme të mëngjesit, para disa ditësh, personi i përmendur e ka lëshuar Maqedoninë me veturë me targa diplomatike, ai ishte pasagjer, në situatën konkrete ishte ulur përpara, me personin që voziste. Gjatë kësaj, nga ana e zyrtarit të policisë, që punon në suaza të Policisë Kufitare, bëhet një gabim kardinal, respektivisht, zyrtari i policisë, në vend që të konstatojë që personi në fjalë është në listën e ndalimit, i njëjti, supozoj i shqetësuar apo i emocionuar nga ana e madhësisë politike, e nderit të personit që e lëshon Maqedoninë, ose nga luksi i veturës, paraprakisht pa vepruar sipas procedurës standarde operative dhe konstaton se personi është në listën e ndalimit, e lëshon, dhe personi del nga territori i Maqedonisë, pa u penguar nga askush”, tha mes tjerash Toshkovski duke shtuar se kur polici e konstatoi se për personin kërkohej ndalimi, i njëjti tashmë ndodhej në Kosovë.