9.6 C
Tetovo
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
BallinaLajme“Topi është në fushën tuaj: Duhet të bëni ndryshimet kushtetuese për t’u...

“Topi është në fushën tuaj: Duhet të bëni ndryshimet kushtetuese për t’u futur në BE,” i tha Von der Leyen Mickoskit në Shkup

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas takimit të sotëm me kryeministrin Hristijan Mickoski në Shkup, tha se vendi duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian (BE). Von der Leyen ndodhet në vend në kuadër të turneut të saj ballkanik.Ne e mbështesim plotësisht Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së. Mund të mbështeteni tek ne. Hapi i ardhshëm dhe i vetëm para hapjes së negociatave është i qartë. Duhet të bëni ndryshimin kushtetues të dakorduar. Topi është në fushën tuaj. BE-ja është e gatshme,” shkroi Von der Leyen në X (Twitter) pas takimit me Mickoskin në Qeveri, për të cilin nuk u mbajt konferencë për shtyp.

Nga Qeveria njoftuan se gjatë takimit u diskutua për perspektivën evropiane, progresin e proceseve reformuese, bashkëpunimin ekonomik, sigurinë energjetike dhe transformimin digjital.

“Kryeministri Mickoski theksoi vendosmërinë e Qeverisë për të përshpejtuar eurointegrimin e vendit përmes rezultateve konkrete dhe përmbushjes së standardeve evropiane. Ai theksoi se vendi pret nga BE-ja një angazhim të qartë dhe konkret, si konfirmim i perspektivës evropiane dhe mbështetje për qytetarët që për dekada janë të përkushtuar ndaj vlerave evropiane,” njoftoi Qeveria.

Von der Leyen pati sot edhe një takim me kryetarin e Parlamentit, Afrim Gashi, pas të cilit shkroi në X se vendi ka marrë 16 milionë euro nga BE-ja për reformat e kryera.

“Ndërkohë, e afrojmë vendin tuaj me ne. Kjo bëhet përmes Planit për Rritje! Hapim fabrikë për inteligjencë artificiale në Shkup. Ju përfshijmë në Zonën e Vetme të Pagesave të Evropës. Dhe paguajmë 16 milionë euro falë reformave që keni bërë,” njoftoi Von der Leyen në X.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, dje prezantoi zyrtarisht projektin “Vezilka” – Qendra Kombëtare për Inteligjencë Artificiale (IA), projekt kryesor për transformimin digjital të vendit, i cili me vlerë totale rreth 6 milionë euro realizohet me mbështetje financiare nga BE-ja përmes programit Horizon Europe dhe iniciativës EuroHPC, dhe kofinancohet nga Ministria e Transformimit Digjital dhe Fakulteti FINKI, i cili është bartës i projektit.

Qendra do të jetë një njësi bashkëpunuese e fabrikës evropiane “Pharos” me seli në Greqi, duke ofruar institucioneve maqedonase, studiuesve, kompanive dhe startupeve akses në superkompjuterët evropianë dhe hapësira të avancuara të të dhënave.

“Kjo është një projekt kryesor me rëndësi historike dhe kombëtare – një faqe e re në zhvillimin digjital të Maqedonisë, ku Qeveria, universitetet dhe industria ndërtojnë së bashku një sistem kombëtar për inteligjencë artificiale. Me ‘Vezilka’, shteti ynë bëhet pjesë aktive e rrjetit evropian të qendrave për inteligjencë artificiale. Ky është një hap thelbësor për komunitetin tonë shkencor, teknologjik dhe inovativ,” tha dje ministri Andonovski.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments