“Bota serbe” po zhvat sovranitetin e Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit, dhe për këtë ka përkrahje dhe promovim nga përfaqësues të Qeverisë në Shkup. Kështu thuhet në draft-rezolutën e Parlamentit Evropian, e bazuar në raportin e eurodeputetit Tomas Waitz mbi progresin e Maqedonisë së Veriut, raporton korrespondenti i agjencisë BGNES nga Brukseli, Dimitar Ruskov. Debati për dokumentin është caktuar për më 8 korrik në Strasburg.
Në dokument theksohet nevoja urgjente për hapjen e arkivave të shërbimeve sekrete jugosllave – UDBA dhe KOS – që mbahen si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në Serbi. Qëllimi është të kapërcehet e kaluara totalitare në mënyrë transparente dhe të forcohen demokracia, llogaridhënia dhe institucionet në Ballkanin Perëndimor.
“Maqedonia e Veriut mbetet objekt i operacioneve armiqësore për ndikim të huaj, përfshirë përpjekjet për të ndarë indin shoqëror të vendit dhe për të shfrytëzuar ndjenjat anti-evropiane”, thuhet në draft-rezolutë.
“Këto përpjekje ndodhin veçanërisht përmes tabloidëve dhe mediave në gjuhën serbe, të cilat veprojnë si përforcues rajonalë të narrativave të Kremlinit dhe gëzojnë ndikim të konsiderueshëm.”
Dokumenti kujton se mes viteve 2018 dhe 2023, Maqedonia e Veriut ka dëbuar 13 diplomatë rusë për veprime të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik, gjë që tregon për praninë e vazhdueshme të rrjeteve të fshehta për ndikim.
Në të njëjtën kohë, ngrihet shqetësimi për aktivitetet kineze, të cilat përfshijnë përhapje të propagandës përmes financimit të përmbajtjeve të paguara në media vendase pa etiketim të qartë, diplomaci përmes investimeve, si dhe marrëveshje infrastrukturore me klauzola detyruese.
Një analizë nga viti 2023 ka zbuluar se subjekte të lidhura me shtetin rus kanë përdorur media serbe si ndërmjetëse për të përhapur narrativa kundër NATO-s dhe për të promovuar pretendime se “BE po e detyron Maqedoninë e Veriut të heqë dorë nga identiteti i saj”.
Në rezolutë, gjithashtu shprehet shqetësim për ndikimin e jashtëm mbi vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht nga Rusia dhe Kina, përmes kërcënimeve hibride, korrupsionit strategjik, rrjedhave të netransparente të parasë, dhe praktikave detyruese investuese.
“Roli i Hungarisë dhe Serbisë në mbështetjen e objektivave gjeopolitike të Kinës dhe Rusisë është shqetësues”, thuhet në dokument.
“Në këtë kontekst, ekziston rreziku i varësisë nga Kina për shkak të marrëveshjeve asimetrike për huadhënie – përfshirë një hua nga Hungaria për Maqedoninë e Veriut, që dyshohet të ketë origjinë kineze.”