Në opinion, por përtliten shumë data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoninë e Veriut. Por, ende asnjë nuk është konfirmuar nga partitë politike, të cilat kanë intensifikuar takimet mes vete për të arritur marrëveshje për datën e zgjedhjeve.
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski ka thirrur për të shtunën mbledhje të Këshillit për Siguri, ku pritet të vendoset nëse do të vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme – e vendosur për shkak të koronavirusit – apo e njëjta të shfuqizohet.
Ndërkohë, përfaqësuesit ndërkombëtarë në Maqedoninë e Veriut, kanë theksuar se shkuarja në zgjedhje, në një afat sa më të shkurtër, do të kontribuonte në formimin e institucioneve stabile, të cilat duhet të menaxhojnë krizën e shkaktuar nga koronavirusi.
Ambasadori francez në Shkup, Kristian Timonie në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se Maqedonia e Veriut ka nevojë për institucione funksionale, të cilat do të kenë për detyrë të menaxhojnë pasojat që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.
“Ne të gjithë punojmë nën presionin e çështjeve të lidhura me shëndetin e njerëzve, të cilët janë prioritet dhe nuk duhet të harrojmë se shoqëritë tona demokratike kanë nevojë për institucione funksionale, për shkak se vështirësitë më të mëdha do të paraqiten për të zbutur pasojat nga epidemia. Duhet të sillen një varg masash dhe vendimesh, gjë që është e mundur të bëhet vetëm nga ana e institucioneve legjitime, por kur do të ndodhin zgjedhjet kjo çështjeje është e vështirë për t’u përgjigjur. Dëshira jonë është që zgjedhjet të ndodhin sa më shpejt që është e mundur, dhe kur them sa më shpejt, para së gjithash mendoj se duhet të ketë një vendim politik dhe objektivi i të cilit duhet të bazohet në gjendjen e përgjithshme shëndetësore lidhur me koronavirusin”, është shprehur ambasadori Timonie.