12.1 C
Tetovo
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
BallinaEkonomiThe Economist: Jeta pas karantinës, ekonomia 90%

The Economist: Jeta pas karantinës, ekonomia 90%

Jeta pas karantinës. Do të jetë e vështirë në shumë mënyra të paimagjinueshme

Shifra 90% është mjaft pozitive në shumë fusha; por në një ekonomi është e pamjaftueshme, dhe shembulli i Kinës na tregon pse. Vendi nisi t’i japë fund izolimit në shkurt. Fabrikat janë të zëna dhe rrugët nuk janë më të boshatisura. Rezultati është ekonomia 90%, shkruan The Economist.

Është më mirë se një izolim total, por nuk është aspak një gjendje normale. Pjesa që mungon përfshin veprimtaritë e jetës së përditshme. Udhëtimet me metro dhe fluturimet e brendshme kanë rënë me një të tretën. Shpenzimet jothelbësore të konsumatorit, si për shembull në restorante, kanë rënë me 40% dhe qëndrimet në hotele janë sa një e treta e normales. Njerëzit janë rënduar nga vështirësitë financiare dhe nga frika e një vale të dytë të COVID-19. Falimentimet po rriten dhe papunësia, sipas një komisioneri, është rreth 20%, sa trefishi i nivelit zyrtar.

Nëse vendet e pasura pas karantinës do të përjetojnë gjithashtu një ekonomi në nivelin 90%, jeta do të jetë e vështirë – të paktën derisa të gjendet një vaksinë ose një trajtim. Një rënie prej 10% e PBB-së në Amerikë, do të ishte më e madhja që nga Lufta e Dytë Botërore. Sa më shumë vuajtje të shkaktojë COVID-19, aq më të thella dhe të gjata do të jenë pasojat e tij ekonomike, sociale dhe politike.

Mënyra e lehtësimit të karantinave do të ndikojë në shkallën e dëmit ekonomik. Për shembull, llogaritja e kostos dhe përfitimit tregon se fillimisht duhen hapur shkollat. Por sado kujdes të tregohet në lehtësimin e kufizimeve, ekonomia do të pengohet gjithsesi nga forca të fuqishme.

Si fillim, dalja nga izolimi është një proces, jo një veprim i vetëm. Edhe kur të ketë përfunduar më e keqja, rastet do të ulen në mënyrë të ngadaltë. Një muaj pasi vdekjet e Italisë arritën kulmin me rreth 900 në ditë, niveli i vdekshmërisë tashmë mbetet ende mbi 300 persona në ditë. Duke qenë se virusi është ende i pranishëm, distancimi social duhet të vazhdojë.

Një arsye e dytë është pasiguria. Pasi izolimet të jenë hequr, do të ketë ende gjëra të panjohura mbi sëmundjen, përfshirë shanset për një valë të dytë, nëse imuniteti ndaj virusit zgjat, apo perspektivat për një vaksinë ose kurë. Kjo i pengon ata që kanë frikë nga sëmundja. Edhe ndërkohë që disa shtete lehtësojnë distancimin social, një e treta e amerikanëve thonë se nuk do të ndiheshin të sigurt të vizitonin një qendër tregtare.

Kur Gjermania lejoi dyqanet e vogla të hapeshin javën e kaluar, klientët qëndruan larg. Danezët nën karantinë i ulën me 80%, shpenzimet e familjeve në shërbime, si udhëtime dhe argëtime. Ekonomistët danezë vlerësojnë se njerëzit në vendin fqinj Suedinë, të cilët nuk u izoluan, i shkurtuan shpenzimet afërsisht me të njëjtin nivel.

Pas karantinës, shumë biznese do të gjenden ngushtë nga ana financiare, me bilance të tendosura dhe duke u përballur me një kërkesë të dobët. Në një anketë për Goldman Sachs, pothuajse dy të tretat e pronarëve amerikanë të bizneseve të vogla, thanë se paratë e tyre do të mbaronin brenda tre muajve. Në Britani, numri i qiramarrësve tregtarë që ka ngelur mbrapa me qiranë, është rritur me 30%.

Këtë javë, shefi i Boeing paralajmëroi se udhëtimet ajrore nuk do të arrijnë nivelin e vitit 2019 për dy ose tre vjet. Investimi, i cili zë afërsisht një të katërtën e PBB-së, do të bjerë, jo vetëm për të ruajtur paratë, por edhe sepse nuk mund të matet rreziku (një arsye për të menduar se rritja e fundit e bursës i ka themelet e dobëta).

Humbja e të ardhurave

Kompanitë në vështirësi do të thellojnë shqetësimet financiare të njerëzve. Mbi një e treta e amerikanëve të anketuar nga Pew Research, thanë se nëse do të humbnin burimin kryesor të të ardhurave, atëherë kursimet e tyre, huazimet e reja ose shitja e pasurive, mund t’i siguronin jetesën për jo më shumë se tre muaj.

Për shkak se industritë më të goditura në ekonominë 90% punësojnë shumë njerëz me paga të ulëta, papunësia do të jetë e lartë. Edhe tani, në pesë ekonomitë më të mëdha të Europës, mbi 30 milionë punëtorë, pra një e pesta e fuqisë punëtore, janë të regjistruar në skema të posaçme ku shteti paguan pagat e tyre. Këto skema mund të jenë bujare, por nuk dihet se sa do të zgjasin.

Ekonomia gjithashtu do të vuajë nga pasoja afatgjata. Kompanitë që i përshtaten COVID-19, duke ulur kostot dhe duke gjetur mënyra të reja pune, mund të rrisin produktivitetin. Por nëse njerëzit lëvizin më pak pas heqjes së masave të izolimit ose nëse mbeten të papunë për muaj me radhë, ata do të shkëputen nga rrjetet profesionale dhe mund të humbasin aftësitë e tyre.

Të papunët e Amerikës mnd të përballen me një dekadë të humbur. Skemat qeveritare do të shpëtojnë bizneset në një periudhë afatshkurtër, gjë që është e mirëpritur. Por ato skema që janë modeluar për të ruajtur vendet e punës, rrezikojnë të çojnë në krijimin e kompanive boshe, që as nuk lulëzojnë dhe as nuk falimentojnë, duke ngadalësuar riciklimin e punës dhe kapitalit.

Sa më gjatë që bota duhet të durojë një ekonomi 90%, aq më pak ka të ngjarë të rimëkëmbet pas pandemisë. Edhe pasi u përhap gripi spanjoll një shekull më parë dhe SARS-i gati dy dekada më parë, dëshira më e madhe ishte që jeta t’i rikthehej normalitetit. Por asnjë nga këto dy sëmundje nuk pati një efekt aq të madh ekonomik sa COVID-19, dhe pritshmëritë e qytetarëve për qeverinë ishin më modeste në vitin 1918 sesa sot.

Një recesion i thellë dhe i gjatë do të shkaktojë zemërim, sepse pandemia ka nxjerrë në pah privilegjet e shoqërive të pasura. Azilet pa kushte për të moshuarit, shkalla e lartë e vdekjes te minoritetet, kërkesat shtesë që i pengojnë gratë të punojnë dhe, veçanërisht në Amerikë, kujdesi shëndetësor që është i vështirë për t’u paguar nga shumë njerëz, do të çojnë në thirrje për reforma të reja. Këto thirrje mund të nxiten edhe nga ideja se mbi shpatullat e njerëzve të thjeshtë ka rënë një barrë e padrejtë. Amerikanët që fitojnë më pak se 20,000 dollarë në vit kanë dy herë më të ngjarë të humbin punën për shkak të COVID-19 sesa dikush që fiton mbi 80,000 dollarë në vit. Këtu ka rëndësi edhe fakti sesa shpejt ripunësohen.

Kërkesa popullore për ndryshim

Kërkesa popullore për ndryshim mund të radikalizojë politikën më shpejt sesa pas krizës financiare në vitet 2007-2009. Detyra për ata që besojnë në tregjet e hapura dhe qeverinë e kufizuar është të sigurohet që kjo energji të kanalizohet drejt llojit të duhur të ndryshimit. Nëse pandemia ul pengesën për reforma, ajo do të ofrojë një shans të rrallë për të rimodeluar kontratën sociale duke favorizuar ata që janë lënë mënjanë, dhe duke ndaluar ata që sot gëzojnë privilegje përmes sistemit të taksave, arsimit dhe normave.

Ndoshta pandemia do të forcojë ndjenjën e solidaritetit kombëtar dhe global. Suksesi i vendeve si Gjermania dhe Tajvani që e kanë përballur më mirë sëmundjen falë institucioneve të forta, do të krijojë kontrast me vendet ku udhëheqësit populistë e kanë kaluar kohën duke përqeshur ekspertizën në mënyra teatrale.

Megjithatë, këto mund të jenë thjesht shpresa të kota. Në 18 muajt e ardhshëm, të gjithë ata që kanë një axhendë për të ndjekur, do të pretendojnë se pandemia vërteton argumentet e tyre. Pas krizës së viteve 2007-2009, politikanët nuk arritën të përmbushnin siç duhet nevojat e njerëzve të zakonshëm dhe kërkesa për ndryshim çoi në një rritje të populizmit. Ekonomia 90% kërcënon vuajtje edhe më të mëdha.

Zemërimi që do të krijojë, mund të përfundojë duke ushqyer proteksionizmin, ksenofobinë dhe ndërhyrje qeveritare të një shkalle që nuk është parë prej dekadash. Nëse ky është një rezultat që do ta refuzonit, atëherë është koha të filloni të ndërtoni argumente më të forta.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments