Të reshurat e shiut në rajonin e Pollogut kanë bllokuar rrugë edhe kanë nxjerrë lumenjtë nga shtrati. Rruga e Banjës në Tetovë vazhdon të jetë e bllokuar nga nata e mbrëmshme ku dheu ka rrëshqitur dhe ka zënë këtë pjesë të rrugës. Ndërkohë rruga në fshatin Xhermë është lëshuar menjëherë.“Ka pasur rrëshqitje të dheut tek rruga e Banjës dhe tek rruga që dërgon në fshatin Xhermë. Edhe kryetari mbrëmë ka qenë në terren për të parë situatën dhe ekipet janë në terren dhe po punojnë dhe brenda ditës ose eventualisht deri gjatë ditës së nesërme do të lirohet rruga e Banjës për qarkullim”, tha Albion Aliti.
Në fshatin Strimnicë shtrati i lumit Vardar ka dalë jashtë edhe ka vërshuar disa rrugë. Nga komuna e Zhelinës thonë se dëme nuk ka, por mospastrimi lumit bën uji të del nga shtrati.
“Fatmirësisht ka dalë vetëm nga shtrati dhe vetëm disa toka ka vërshuar dhe nuk ka dëme më të mëdha materiale të raportuara në shtëpi apo të mbjella tjera. Është një problematikë e më hershme. Duhet të merren masa nga pushteti qendror për pastrimin e shtratit të lumit Vardar që të mos kemi situata të tjera në të ardhmen”, deklaroi Jasin Shaqiri.Nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se janë vërshuar të mbjellat dhe një shtëpi edhe në Gostivar. Sipas drejtorit Ali, situata deri më tani është stabile në rajonin e Pollogut dhe nuk ka persona të lënduar. Në fshatin Llakavicë dhe Turçan ka pasur raportime për dalje të lumit nga shtrati duke dëmtuar të mbjellat edhe një shtëpi.
“Në territorin e komunës së Gostivarit edhe atje kishim dalje të lumit LLakavicë-Turçan dhe gjendja është stabile. Edhe atje kishim një shtëpi të përmbytur me ujë, por nuk ka të lënduar dhe besoj se brenda ditës do të kemi informata çka ka dëme materiale shtëpia apo përreth”, tha Muhamet Ali.Në Tetovë nënkalimi në lagjen Dardania vazhdon të jetoi bllokuar për kalim, ndërsa rrëshqitje të dheut ka pasur edhe në lagjen 146.
