Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, vizitoi qytetin e Tetovës. Vizita e saj filloi nga komuna, ku u takua me kreun e komunës, Bilall Kasami, i cili presidentes Osmani-Sadriu ia dhuroi edhe çelësin e qytetit.
“Me vizitën e kryeparlamentarit, të kryeministrit dhe të presidentes së Kosovës, ne përmbyllim vizitat e përfaqësuesve më të lartë të shtetit të Kosovës. Kjo tregon vlerësimin që kanë institucionet e Kosovës për Tetovën, tetovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë dhe falënderoj presidenten. Ne, si komunë e Tetovës do të vazhdojmë të kultivojmë lidhjet tona me komunat e Kosovës dhe do të punojmë që të jemi afër dhe të rinjtë tanë t’i kemi afër në sferën e arsimit, kulturës e sportit. Ne, si komunë punojmë intensivisht që rruga Tetova-Prizren sa më shpejtë të jetësohet dhe të jetë në shërbim të qytetarëve të të dy shteteve.”, – deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
“Kjo vizitë zhvillohet për të rikonfirmuar raportet e shkëlqyera që janë ndërtuar mes dy shteteve tona. Por, edhe duke rikonfirmuar rolin shumë kyç që kanë luajtur shqiptarët e Maqedonisë në shtetndërtim, shtetformim dhe po ashtu në rrugëtimin euroatlantik të këtij vendi. Kosova do të jetë përherë mirënjohëse për ndihmën e pakursyer që kanë dhënë shqiptarët e Maqedonisë dhe qytetarët e Tetovës, na kanë dhënë në kohët më të errëta për ne, nga vitet e hershme të 90-ta e deri tek lufta në Kosovë, por edhe si vend, vendi ku gjetëm strehë dhe prehej sa herë që kishim vështirësi.”, – theksoi presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani–Sadriu.
Pas vizitës në komunë, presidentja Osmani vizitoi edhe shkollën fillore “Liria” dhe pas saj vazhdoi për në sheshin e Tetovës dhe tek Xhamia e Larme, ku është pritur nga shumë qytetarë të Tetovës. Presidentja Osmani–Sadriu,vizitën në Tetovë e përmbylli me një ligjërate në Universitetin e Tetovës, me temën “Sfidat rajonale politike dhe atë të sigurisë”.