Një grua 40-vjeçare ka përfunduar me thyerje të këmbës së djathtë dhe krahut të lënduar në tentativë për të shmangur sulmin e qenve endacak dje në Tetovë. Ngjarja e pakëndshme ka ndodhur të dielën rreth orës 23:00 në Bulevardin “Marshal Tito” pranë tregut të gjelbër, transmeton Alsat.
“Po ecja nga shtëpia pranë tregut të gjelbër deri te stacioni i autobusit në bulevard për të shkuar në turnin e tretë në punë. Qentë më sulmuan në treg. U përpoqa të ikja përmes mbjellësit midis trotuarit dhe shtegut të biçikletave, por këtu u pengova dhe theva këmbën dhe e lëndova dorën”, thotë V.S. nënë e tre fëmijëve.
Gruaja është dërguar në spitalin e Tetovës dhe rasti është raportuar në polici.
Ndryshe, problemi me qentë endacak në Komunën e Tetovës nuk do të zgjidhet plotësisht këtë vit.
Në korrik të këtij viti, Komuna e Tetovës nënshkroi marrëveshje me “Amos Pet”- shoqatën e përzgjedhur për këtë problematikë që parasheh që në 12 muaj të trajtohen vetëm 82 qen të shpëtuar nga rrugët, që është rreth 20% nga numri total i qenve që enden nëpër qytet. Vlera e kësaj marrëveshjeje është 1.271.186 denarë, që do të thotë se trajtimi i një qeni kushton 15.500 denarë.
Qyteti ka rreth 500 qen endacak ku rreth gjysma e tyre janë të mëdhenj mbi 40 kilogram.