10.8 C
Tetovo
E mërkurë, 29 Tetor, 2025
BallinaLajmeTetovë / Dy muaj padrejtësi për dhunën etnike ndaj dy nxënësve shqiptarë...

Tetovë / Dy muaj padrejtësi për dhunën etnike ndaj dy nxënësve shqiptarë në Tetovë, Prokuroria ende nuk ka ngritur akuzë

Prokuroria Publike ende nuk ka ngritur akuzë për grupin e maqedonasve të cilët para dy muajve rrahën dy nxënës shqiptarë në Tetovë. Për atë se përse po zvarritet ky rast, Prokuroria arsyetohet se procedura zhvillohet në përputhje me afatet ligjore, shkruan Portalb.mk.

Pavarësisht se kanë kaluar dy muaj që kur një grup maqedonasish rrahën dy nxënës shqiptarë në Tetovë, ky rast ende nuk ka marrë epilog.

Nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë theksuan se ata si institucion kanë vepruar dhe kanë kryer obligimin e tyre dhe se tani çështja mbetet te Prokuroria dhe Gjykata.

Gjykata e Tetovës e konfirmoi për Portalb.mk se te ata Prokuroria ende nuk ka parashtruar akuzë për këtë rast.

“Më datë 04.09.2025 me propozim të Prokurorisë Themelore Publike Tetovë u caktua masa paraburgim i shkurtër prej 48 orëve për një person të rritur. Pas kalimit të afatit prej 48 orëve, prokurori publik nuk dorëzoi propozim për vazhdimin e masës paraburgim dhe për atë shkak më 06.09.2025 gjykata solli aktvendim me të cilin anulohet masa paraburgim. Deri më sot në Gjykatën Themelore Tetovë nuk është parashtruar akuzë në lidhje me rastin”, thanë nga Gjykata e Tetovës.

Nga Prokuroria Publike thonë se procedura është duke vijuar.

“Në këtë rast konkret, Prokuroria Themelore Publike e Tetovë udhëheq procedurë penale “Dhunë” ndaj një të rrituri dhe shtatë të miturve, për të cilën procedura zhvillohet në përputhje me Ligjin për Drejtësinë për Fëmijë. Procedura është duke vazhduar”, thanë nga Prokuroria.

Të pyetur se përse po zvarritet ky rast, nga Prokuroria u arsyetuan se “procedura po zhvillohet në përputhje me afatet ligjore”.

Mbrëmjen e 3 shtatorit një grup maqedonasish kanë rrahur dy nxënës të Shkollës së Mesme Ekonomike të Tetovës, të cilët kanë pësuar lëndime trupore, për çka ishin dërguar edhe në Spitalin Klinik të Tetovës.

Policia më pas arrestoi dy persona, ndërsa kreu bisedë informative me 16 të rinj. Më pas, Prokuroria Themelore Publike e Tetovës ngriti procedurë kundër një të rrituri dhe 7 të miturve për veprën penale “Dhunë” sipas nenit 386, paragrafi 4, në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal. Kundër një personi u caktua masa e paraburgimit të shkurtër për 48 orëve.

Në fund të muaji gusht në Manastir, disa persona të panjohur rreth 20 vjeç iu afruan një personi për t’i zhveshur bluzën që kishte veshur, e cila kishte të vizatuar një kokë shqiponje në pjesën e përparme dhe të pasme.

Kujtojmë se Portalb.mk përmes një serie shkrimesh ka argumentuar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments