21.5 C
Tetovo
E shtunë, 26 Korrik, 2025
BallinaLajmeTetova nuk është çmim pazari për votat maqedonase!

Tetova nuk është çmim pazari për votat maqedonase!

Për hir të votave të maqedonasve, Bilall Kasami po i kthen lavdinë maqedonasve në një qytet shqiptar – Tetovë

Koment nga Tetovasot:

Një qytet me zemër shqiptare, histori shqiptare, frymë shqiptare, po sheh një zhvendosje të dhimbshme të theksit kombëtar. Gjithçka që dikur e identifikonte Tetovën si bastion të kulturës, arsimit dhe rezistencës shqiptare, sot po zbehet nën petkun e një koalicioni të heshtur, por të dhimbshëm.
Në emër të “bashkëjetesës” dhe “pragmatizmit elektoral”, po rehabilitohen figura, institucione dhe narrativa që për dekada kanë qenë përjashtuese për shqiptarët.

Po ngrihen flamuj të tjerë, po jepen mesazhe të paqarta, dhe mbi të gjitha – po shuhet zëri kritik. Po heshtin ata që dikur do të kishin dalë në ballë për të mbrojtur dinjitetin e qytetit.
Nuk ka më rëndësi sa shqiptarë jetojnë në Tetovë, nëse qyteti i tyre nuk flet më me zërin e tyre.

Për një vend pune, për një koncesion, për një post… po shiten simbolet. Po shiten parimet. Po shiten të vërtetat historike.
Nëse heshtim sot, nesër do të kujtohemi jo si ata që e humbën Tetovën, por si ata që e shitën me vetëdije.

Në zemër të qytetit shqiptar, po ndodh një paradë e turpit politik: Bilall Kasami po fton në fushatë krerët e shtetit maqedonas – Mickovskin dhe presidenten Siljanovska – për t’i kthyer atyre borxhin e votave. Nuk është më fshehur. Nuk është më diplomaci. Është servilizëm i pastër. Është përkulje politike para atyre që asnjëherë nuk e kanë njohur realisht dinjitetin shqiptar në këtë shtet.

Kur presidentja Siljanovska refuzonte të përmendte fjalën “Republikë e Maqedonisë së Veriut” dhe shpërfillte tërësisht shqiptarët, Bilall Kasami heshti. Sot, e fton si mysafire nderi në qytetin më shqiptar të vendit.

Kur Mickovski bënte thirrje për më pak gjuhë shqipe, më pak të drejta, më shumë kontroll mbi shqiptarët – Kasami shtrëngonte duart për “bashkëpunim institucional”.

Për çfarë? Për ca vota maqedonase që do t’i sigurojnë edhe një mandat?
Por me çfarë çmimi? Me çmimin e identitetit të Tetovës, me çmimin e përkuljes kombëtare, me çmimin e heshtjes sonë.

Ky nuk është qyteti që duam t’ua lëmë brezave të ardhshëm. Ky nuk është modeli i përfaqësimit që meriton rinia shqiptare.TS

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments