Me njëzet e shtatë vota “për”, këshilltarët komunal të Tetovës miratuan buxhetin e komunës për vitin 2026. Ai do të arrijë në 45,5 milionë euro, prej të cilave mbi 40% ose 17,5 milionë euro janë të destinuara për investime kapitale, sipas kryetarit të komunës, Bilall Kasami. Ai shtoi se, përveç investimeve kapitale, nga janari i vitit 2026 do të nisë edhe shërbimi i transportit publik falas, një premtim i dhënë më parë.“Është një buxhet zhvillimor që parashshikon ndërtimin e shkollave të reja, rrugëve të reja, pishinave, ujë, kanalizim dhe gjithçka që ka të bëj për një qytet më të mirë. Me përgatitjet që do t’i bëj ndërmarrja nga janari do të nisë edhe implementimi i këtij premtimi para zgjedhor që qytetarët e Tetovës të kenë transport falas”, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.Nga “Më mirë për Tetovën” thonë se shumica e investimeve kapitale tash më janë bërë para zgjedhjeve dhe qytetarët do të duhet ta paguajnë për punët e vitit 2025, ndërsa ata kritikuan edhe ndarjen e 570 mijë eurove për punësime të, siç thanë, aktivistëve partiak.
“Dëgjova se është 45 milionë euro, për dallim nga materialet fillestare që ishin 47 milionë. Shohim se ka rritje më të madhe në investime kapitale për 60, dhe duket në rregull në letër. Nga materialet që i pranuam, shohim se janë investime që janë bërë në vitin 2025 gjatë fushatës zgjedhore, që do të thotë se investimet që janë bërë në vitin 2025 tash do t’i paguajmë në vitin 2026. Pjesa tjetër është se vazhdojmë të kemi punësime me kontrata, një shumë prej 570 milionë, e cila, nëse akumulohet, i bie 2,5 milion euro të qytetarëve që janë shfrytëzuar për kontrata të militantëve partiakë”, u shpreh Agron Arifi – këshilltar i “Më mirë për Tetovën”.Opozita kritikoi se Komuna e Tetovës nuk po investon në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit, duke akuzuar udhëheqësin e komunës se trashëgimia kulturore po shkatërrohet, në vend që të ruhet.
