Një muaj para ardhjes së mërgimtarëve, komuna e Tetovës ka ndërmarrë masa për riorganizimin e një pjese të rrugëve të qytetit, me qëllim evitimin e bllokimeve të udhëkryqeve kryesore të qytetit, si pasojë e shtimit të numrit të makinave. Nga komuna e Tetovës thonë se përveç hapjes së oborreve të shkollave fillore e të mesme që do përdoren si vende parkimi gjatë gjithë verës, do të ketë edhe një kahëzim të disa rrugëve, ndërsa po mendohet edhe për mbylljen e sheshit për makinat dhe kthimin e të njëjtit në shëtitore.
“Ashtu sikurse çdo vit, edhe këtë vit ne do hapim oborret e shkollave që të lehtësohet qarkullimi rrugor. Do të bëhen po ashtu edhe disa rrugë njëkahëshe, që ë mos bllokohen rrugët dhe të krijohet tollovi në qytet. Ka edhe një projekt tjetër për bulevardin Iliria ku planifikojmë që të kthehet në shëtitore, por për fat të keq përgjigjja nga SPB na është kthyer negative, dhe shpresojmë se këtë vit mbase do mund ta realizojmë. Nëse ia dalim si bulevard ta kthejmë në shëtitore, kjo do ishte mirë është për bizneset e qytetit”, tha Albion Alili, Komuna e Tetovës.
Masa janë ndërmarrë, edhe nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, si për Tetovën por edhe për Gostivarin.
“Tetova e Gostivari, një kohë shumë të gjatë ballafaqohen me problemin e vjetër, të numrit të parkingjeve në pjesët qendrore të qytetit krahas numrit të automjeteve që gravitojnë, e që nuk korrespondojnë njëra me tjetrën. Andaj SPB Tetovë ka ndërmarrë gjitha masat paraprake një muaj para ardhjes së mërgimtarëve. Me komunën jemi duke biseduar për hapjen e oborreve të shkollave që të ketë më tepër parkingje, si dhe janë paraparë pika kontrolli nga policët në hyrje daljet e qytetit që në rast të tollovisë më të madhe të reagohet në kohë me devijimin e komunikacionit”, u shpreh Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
Si nga komuna e Tetovës, po ashtu edhe nga Policia e Tetovës apelojnë banorët që, gjatë muajit kur mërgimtarët janë në vendlindje, sa më pak të përdoren makinat e tyre, me qëllim që të kenë përparësi mërgimtarët tanë./Alsat.mk