Misioni kinez në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) ka njoftuar se ka paraqitur një ankesë shtesë kundër tarifave të vendosura nga administrata amerikane.
Kina paraqiti ankesën e saj të parë në OBT në shkurt, menjëherë pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump ngriti tarifat për mallrat kineze me 10 për qind.
Javën e kaluar, ajo paraqiti një ankesë të dytë, gjithashtu për tarifat e SHBA-së.
Vendet që përballen me tarifa të larta nga SHBA-ja kanë mundësinë që të ngrenë procedime përpara Organit të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve të OBT-së.
Por gjatë mandatit të tij të parë si president, administrata Trump bllokoi emërimet e gjyqtarëve në Organin e Apelit të OBT-së, me argumentin se organi po e tejkalonte autoritetin e tij.
Si rezultat, Organi i Apelimit aktualisht nuk është në gjendje të funksionojë, duke e lënë OBT-në pa një mekanizëm efektiv për zbatimin e rregullave të saj.
Trump aktualisht ka ngritur në 145 për qind tarifën ndaj mallrave kineze. Pekini zyrtar u hakmor duke ngritur një kundërtarifë ndaj mallrave amerikane prej 125 për qind.
Pavarësisht një ndërprerjeje prej tre muajsh nga rritja e tarifave për një sërë vendesh, shumë tarifa janë ende në fuqi dhe kanë pasoja të rënda.
Presidenti francez Emmanuel Macron foli në rrjetin X dhe tha se pauza në vendosjen e tarifave “është ende e brishtë” dhe vuri në dukje se “tarifat prej 25% për çelikun, aluminin dhe makinat, si dhe ato prej 10% për produktet e tjera, janë ende në fuqi. Kjo përfaqëson 52 miliardë euro tarifa të Bashkimit Evropian”.
Ai shtoi se pauza 90-ditore “do të thotë 90 ditë pasigurie për kompanitë tona, në të dy anët e Atlantikut, por edhe më gjerë”.
Komente e tij erdhën ndërsa komisionari Evropian i Tregtisë Marosh Shefcovich do të udhëtojë në Uashington këtë fundjavë me qëllim të përfundimit të marrëveshjeve tregtare.
“Komisionari i tregtisë do të shkojë në Uashington për të provuar të arrijë marrëveshje. Kjo është ajo ku ne jemi fokusuar. Por të gjitha opsionet janë në tryezë nëse kjo nuk çon në një rezultat të mirë,” tha zëdhënësi Olof Gill për radion irlandeze RTE.