5.9 C
Tetovo
E shtunë, 17 Maj, 2025
BallinaLajmeTaravari: VLEN-i ngeli në testin e pushtetit, nuk po i realizon premtimet...

Taravari: VLEN-i ngeli në testin e pushtetit, nuk po i realizon premtimet e dhëna para shqiptarëve

http://Intervistë | Taravari: VLEN-i ngeli në testin e pushtetit, nuk po i realizon premtimet e dhëna para shqiptarëve

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka treguar arsyet e daljes nga koalicioni VLEN dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Ai ka bërë me dije se vendimi për t`u larguar nga koalicioni i partive shqiptare në Maqedoni të Veriut ishte një proces që kaloi nëpër disa faza. Në këtë intervistë për gazetën Nacionale, Taravari ka thënë se ky koalicion ngeli i në testin e pushtetit. Ai ka vlerësuar se deri më tani VLEN-i nuk i ka përmbushur pretimet që i kishte dhënë para shqiptarëve. Pas hyrjes në Qeveri, ka thënë Taravari, disa njerëz të këtij koalicioni u shkëputen nga realiteti, duke harruat zotimet që kishin dhënë në fushatë zgjedhore. Në këtë intervistë të gjatë, Taravari ka folur kritikat ndaj tij pas daljes në opozitë, për ndikimin e Albin Kurtit në krijimin e koalicionit VLEN, për raportet që do t`i këtë me BDI-në dhe tema të tjera.

Nacionale: Z. Taravari, tashmë jeni deklaruar se nuk jemi më pjesë e koalicionit VLEN dhe e Qeverisë së Maqedonisë. Pse e ndërmorët një veprim të tillë dhe u larguat?


Taravari: Ky nuk është një hap që u mor një ditë të hënë me diell ose me shi. Ky ishte një proces që kaloi në disa faza. Kur hymë në Qeveri ne ishim ende në euforinë e ngadhënjimit mbi sistemin e vjetër që kishte( kur them ne i referohem partive të kampit shqiptar në Qeveri). Mirëpo ndërkohë njerëzit nuk na dhanë besimin vetëm për kaq. Ne tashmë duhej të punonim seriozisht mbi zotimet që kishim marrë. Ashtu si i çmuari presidenti Lincoln thoshte, po e perifrazoj, pushteti është test që ngel në klasë shumë burra, dhe fatkeqësisht kështu ndodhi me një pjesë të VLEN-it. Kamerat dhe dritat e tyre, gërshërët e shiritave përurues, ishin perde që disa i ndau nga gjendja reale e njerëzve të cilët me të drejtë mbetën të zhgënjyer sepse VLEN-i me ose pa dashje nga një ndryshim në fakt po rezultonte të ishte thjesht një zëvendësim.

Nacionale: Çka nuk shkoi me koalicionin VLEN?


Taravari: Kishim divergjenca në parim. Kur thuhet arsyeja që hapi kutinë e Pandorës është sa absurde aq edhe e dhimbshme. Në prag të organizimit për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen në këtë tetor, filluam diskutimet për kandidatë e për listat e këshilltarëve. Kishim përplasje në mënyrën e zgjedhjes së kandidatëve për kryetarë apo këshilltarë komunash. Ne propozuam që le të bëheshin sondazhe për secilin propozim, dhe le të zgjidhej më i votuari që natyrisht çon edhe tek fituesi. Për fat të keq partitë e tjera të VLEN-it nuk e pranoni këtë mekanizëm duke insistuar që të vendoseshin emrat e kandidatëve që dëshironin ata. Kjo ishte e papranueshme për ne. Ne kemi respekt të madh për elektoratin tonë, dhe fundja ne jemi në punë prej këtij elektorati. Kjo farë autokracie arrogante ndaj tyre do ishte jashtë parimeve tona. Si t’i dilnim njerëzve dhe t’ju thonim: votoni këtë kandidat që nuk është më i miri ama votojeni se kështu do VLEN-i….?!

Gjithsesi duke qenë neurolog me profesion kam mësuar që mos t’i marr njerëzit seriozisht kur janë emocional. Kështu për hir se ishim një koalicion ne vendosëm që do të dalim vetëm me Lista të Veçanta Këshilltarësh. Mirëpo sa e bëmë publik këtë vendim u hap kutia e Pandorës. Filloi papritur një lum akuzash të cilat u sajuan si një gjellë e keqe kur nuk ke ushqim me se të gatuash! Natyrisht që nuk i marr parasysh as tani. Duke parë që fatkeqsisht VLEN-i tash është në një fazë histerie, ne vendosëm se bashkëpunimi me ta është thjesht i pamundur. Më vjen keq për disa miq e shokë aty që po detyrohen të kalojnë këto momente të vështira, por ju them dhe atyre se gjithçka do kalojë, dhe do bëhet shumë më mirë!

Nacionale: Deri më tani, sa i ka përmbushur premtimet zgjedhore ky koalicion?


Taravari: Fare pak mos them aspak! Largimi i BDI-së ishte suksesi im më i madh në karrierën politike. Por shpejt kuptova që duke qenë se në VLEN kishin mbetur funksionar veteran të saj, mentaliteti nuk ishte zhdukur.
Ne premtuam se do mbylleshin kazinotë…asnjë nuk u mbyll! Filluam me lojëra fjalësh, festonim mbylljen e kazinove online, a në fakt fëmijët e të rinjtë po merren në qafë nga kazinotë që i kanë ngjitur me derën e shtëpisë.
Në një vend ku ka më shumë kazino se sa shkolla nuk ka dritë aty!
U hoq ligji për Balancuesin dhe u premtua se do të vinte ligji i ri për barazi etnike! Kishim muaj që e gënjenim popullin e në këtë rast shqiptarët! Edhe sot që përgjigjem për ty ligji nuk ka ardh ende! Po çfarë do bënim ende aty ne?! Të paguheshim për të pritur dhe për të gënjyer?! A nuk është kjo tradhëti ndaj votuesit?! Unë dhe partia jonë nuk mund ta bënim!

Nacionale: Partneri i juaj i deridjeshëm, z. Izet Mexhiti iu ka kritikuar ashpër. Ka thënë se ju e keni tradhtuar Qeverinë. Si i keni parë këto kritika?

Taravari: E thashë se ata janë në ngarkesë emocionale të madhe dhe nuk dinë se çfarë flasin! Mexhiti është politikani i parë në historinë e shteteve demokratike që akuzon dikë se po tradhton Qeverinë! E kuptoni se sa qesharake dhe e trishtë është kjo akuzë?! Dikush mund të tradhtojë kombin, shtetin apo popullin e tij, por kurrë Qeverinë.
Kjo është një akuzë komuniste që duket sikur është nxjerrë nga dosjet e kohës së ish-Jugosllavisë, ku njerëz të paguar ose që adhuronin Titon, përdorin akuza të tilla tragji-komike.

Nacionale: Ekziston një përshtypje se ky koalicion ishte krijuar nga kryeministri Albin Kurti për të larguar Ali Ahmetin nga pushtetit. Cili ishte ndikimi i Kurtit në krijimin e këtij koalicioni?


Taravari: Përshtypjet krijohen lehtësisht në Ballkan por po aq janë edhe të mbushura me të pavërteta. Kryeministri Kurti vërtet që ka qenë një mbështetje serioze për ne në atë kohë, por ai as nuk e ndërtoi kauzën tonë dhe as nuk e themeloi VLEN-in e atëhershëm.

Nacionale: Pas largimit nga VLEN-i, a ju ka kontaktuar z. Kurti?


Taravari: Jo.

Nacionale: A i keni rënë pishman që e keni dëgjuar z. Kurti dhe iu ishit bashkuar VLEN-it?


Taravari: Jo. Ishte një projekt i suksesshëm ai i VLEN-it, i cili ja doli të shkundte një sistem që kishte futur vendin në koma. Por aq, kur hymë në Qeveri u kuptua se më tepër nuk punonim dot bashkë, ndaj dhe ne dolëm dhe e lamë këtë pushtet.

Nacionale: Në largimin tuaj nga qeveria maqedonase a ka gisht BDI dhe Ali Ahmeti?


Taravari: Nuk e di pse është krijuar perceptimi se ne vendimet e Aleancës për Shqiptarët ka gjithmonë një palë tjetër që vendos! Ndoshta për shkak të një politike konspirative e plot drama e hamendësime që janë mësuar të bëjnë veçanërisht ballkanasit. Jo! Vendimi për të dalë nga Qeveria ishte vendim unanim i organeve partiake të cilat janë sovrane dhe të pavarura.

Nacionale: Pas largimit të Aleancës për Shqiptarët, sa legjitime është qeveria maqedonase?


Taravari: Pa dashje ju në pyetjen tuaj keni bërë një lapsus kalami si e quajnë latinët por i keni dhënë dhe një përgjigje pyetjes tuaj. Në shtetin multietnik të Maqedonisë së Veriut ku shqiptarët janë shtetformues, duhet të ketë një Qeveri që i përfaqëson të gjithë, dhe jo një Qeveri maqedonase si është kjo që mbeti pas ikjes tonë, me vetëm 9 deputetë shqiptarë. Deputetët përfaqësojnë njerëzit, e nuk mund të pretendohet se shqiptarët janë të përfaqësuar në qeveri ku shumica dërrmuese e deputetëve shqiptarë janë në opozitë.

Nacionale: A duhet të shkojë Maqedonia e Veriut në zgjedhje të parakohshëm?


Taravari: Zgjedhjet janë kosto financiare për shtetin, dhe parimisht unë nuk jam për Zgjedhje të parakohshme por nëse nuk zgjidhet puna e përfaqësimit të shqiptarëve në Qeveri, Zgjedhjet e Parakohshme do jenë të pashmangshme.

Nacionale: Cili do të jetë bashkëpunimi i juaj tash e tutje me BDI-në?


Taravari: E para BDI-ja nuk përfaqësohet më nga kriminelë që e kanë vendin prapa hekurave. Votuesit e ndershëm të BDI-së janë shqiptarë të cilët nuk kam pas dhe nuk kam kurrë ndërmend t’i shpall aa fajtorë e as të padëshirueshëm për këtë shtet. Tek e fundit partitë formohen për të punuar për njerëzit, dhe është e pamoralshme të shkelësh dikë për t’u ngritur vet. Ne me pastrim të BDI-së nuk nënkuptojmë pastrim të shqipëtarve! Sepse pavarsisht që ideologjikisht (për aq ide sa kanë mbetur në partitë tona), pra pavarsisht se ideologjikisht unë jam kundër me ta, pavarsisht se suksesi ynë më i madh politik deri tani është largimi i sistemit të vjetër, unë jam aq i kthjellët dhe i ndërgjegjshëm që nuk mund të përndiqen aktivistët dhe ata përfaqësues të BDI-së të cilët janë të ndershëm e të sinqertë. Qëllimi kryesor është që Aleanca për Shqiptarët të përfaqësojë sa më shumë shqiptarë në rrallë të parë e sigurisht sa më shumë njerëz të këtij vendi, dhe po, do të bashkëpunojmë me cilëndo parti që i përshtatet këtij qëllimi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments