“Nuk mund ta pranoj kërkesën për dorëheqje nga persona që ishin përgjegjës për zjarrin në spitalin modular në Tetovë”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në një intervistë për portalin “Sloboden Pecat”, i pyetur nëse do të jepte dorëheqje pas vdekjes së fëmijëve në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup.
Taravari shtoi se për të kritikuar duhet të kesh kredibilitet moral.
“Sa i përket Klinikës së Sëmundjeve të Fëmijëve, kam shikuar statistikat për gjithë vitin. Sipas tyre, nga 1 dhjetori, përqindja e fëmijëve të vdekur është më e ulëta. Nëse vdekshmëria e këtij viti do të ishte më e lartë se tetë vitet e tjera të mëparshme, drejtorët do të ishin zëvendësuar deri më tani”, shtoi ministri.
Ai për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve tha se nuk është dashur të dërgohet në Komisionin e Venecias edhe kur është dorëzuar në vitin 2017.
“Ligjet vazhdojnë të përdoren si më parë në vend, me përjashtime të rralla për ndonjë institucion. Ligji është ende në fuqi dhe shpresoj se nuk ka kthim nga ai ligj”, tha Taravari.