“Deklarata e Kryeministrit Hristijan Mickoski se “nuk ka kushte politike për ndryshimet kushtetuese”, pa ofruar asnjë afat apo plan konkret se kur këto kushte do të krijohen, është jo vetëm e paqartë, por edhe shqetësuese për të ardhmen evropiane të vendit.
Aleanca për Shqiptarët pyet publikisht: A ka vendosur kjo Qeveri të mbyllë përfundimisht rrugën drejt Bashkimi Evropian?
Sepse çdo ditë pa ndryshime kushtetuese është një ditë më larg Evropës dhe më afër izolimit.
Ne i bëjmë thirrje koalicionit VLEN që të zgjohet nga gjumi i thellë politik dhe të përballet me përgjegjësinë që ka marrë para qytetarëve. Premtimi i tyre për të realizuar ndryshimet kushtetuese brenda 6 muajve është obligim dhe përgjegjësi politike. Sot, heshtja dhe pasiviteti i tyre përballë këtij dështimi janë të papranueshme.
VLEN duhet të ushtrojë ndikim real mbi partnerët e tyre qeveritarë dhe të mos vazhdojë rolin e spektatorit të proceseve që përcaktojnë të ardhmen e vendit.
Në këtë kohë të trazuar të zhvillimeve globale, çdo hap prapa në proceset integruese ka kosto të parikuperueshme për shtetin dhe qytetarët tanë. Ne nuk kemi luksin të humbim kohë, as të tolerojmë mungesë vizioni.
Aleanca për Shqiptarët fton për unitet të gjithë spektrin politik dhe shoqëror që të reflektojë dhe të veprojë me përgjegjësi për të ardhmen e vendit.
E ardhmja evropiane e shtetit tonë nuk është opsion, është domosdoshmëri strategjike.”
