-0.2 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaLajmeTaravari me krerët e LEN-it në takim me Kurtin? Të gjithë në...

Taravari me krerët e LEN-it në takim me Kurtin? Të gjithë në pritje të vendimit të ASH-së

Viti 2023 vetëm se po kalon ndërsa në skenën politike shqiptare nuk mund të themi se ka qartësi rreth mënyrës së pjesëmarjes së partive politike në zgjedhjet e ardhshme të majit. Përpos që u bashkuan Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike e Alternativa si një trup i përbashkët, partitë tjera ende nuk kanë vendosur si do të veprojnë në zgjedhje, përfshirë këtu edhe BDI-në. Thirrjet e fundit të BDI-së kanë qenë të formohet një Front Europian i cili do të dilte fitimtar në zgjedhjet e majit. Këtë thirrje e kanë bërë edhe nga LSDM.

Sa i përket ASH-së, edhe kjo parti deri sot nuk ka sjellë një vendim rreth asaj si do të del në zgjedhje. Thirrje për koalicionim kanë si nga BDI ashtu edhe nga Lidhja Europiane për Ndryshim. E për këtë qëllim, siç mëson Televizioni 21, gjatë ditës së djeshme, me iniciativë të kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti, në Prishtinë është mbajtur një takim i përbashkët mes Arben Taravarit, Izet Mexhitit, Afrim Gashit e Bilall Kasamit.

Lëvizja Vetvendosje do të jetë pjesë e listave zgjedhore me Lidhjen Europiane për Ndryshim në zgjedhjet parlamentare, ndërsa përfaqësuesi i tyre Bekim Qoku, i bëri thirrje ASH-së t’u bashkohen edhe ata.

“I bëj ftesë edhe partive të tjera politike, shoqërisë civile, i bëjë ftesë edhe këtu hapur Aleancës për Shqiptarët t’i bashkohet këtij ndryshimi sepse edhe unë si ish-anëtar i asaj Aleance e ndjej dhe e di mentalitetin edhe shpirtin opozitar të Aleancës dhe e di që ajo vendin e ka në këtë radhitje këtu.”- propozoi Bekim Qoku, Lëvizja Vetëvendosje.

Thirrje ASH-së për t’iu bashkangjitur i bëri edhe kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

“Prandaj edhe njëherë e shfrytëzoj rastin edhe sa i përket sondazheve, t’i bëjmë ftesë ASH-së, që sa më shpejtë të vendos të jetë aty ku është votuesi i saj, këtë e di më mirë vet lidershipi i ASH-së. Votuesi i ASH-së nuk shkon me BDI-në, ata mund të shkojnë por votuesi do të jetë me opozitën.”- tha Bilall Kasami – Kryetar i L.Besa.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, pas takimit të fundit me Taravarin, tha se të gjitha opsionet janë të hapura ndërsa vendimi final do të meret nga organet partiake.

“Opsionet janë të hapura, bisedë tepër miqësore, do të vazhdojmë të takohemi përsëri. Do i bisedojmë opsionet, vizionet, zhvillimet dhe në saje të vlerësimeve që do të jepen nga organet e partisë, do të marrim edhe vendimet se si dhe për cilin opsion do të përcaktohemi.”- pohoi Ali Ahmeti – Kryetar i BDI-së.

Ajo që deri tani është deklaruar nga Aleanca për Shqiptarët, është se vullneti i kryesisë qendrore është të shkohet vet në zgjedhje, ndërsa kreu i kësaj partie Arben Taravari, në takimin e fundit me Ahmetin në Gostivar, tha se për ASH-në është shumë vështirë të shkojë në lista të përbashkëta me BDI-në.

“Thash, për Aleancën është shumë e rëndë të del me BDI-në, por do t’i shqyrtojmë përsëri. Vendimet e organeve partiake patjetër duhet të respektohen.”- tha Arben Taravari – Kryetar i ASH-së.
I lodhur nga thirrjet për koalicionim, sekretari i përgjithshëm i ASH-së para pak ditësh tha se askush nuk ka të drejtë t’i tregojë ASH-së se kur dhe si do të vendosë për ardhmërinë e saj politike.


E sa i përket partive të sapoformuara, Lëvizja Populli dhe Partia Demokratike Europiane, asnjëra prej tyre nuk ka një vendim final rreth asaj si do të veprojnë. Kushti i tyre siç kanë deklaruar deri më tani, është që partitë me të cilat do të koalicionojnë, duhet të ndajnë vlerat e njejta sa i përket rrugëtimit europian të vendit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments