Kryeministri teknik në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi, njëkohësisht deputeti i ardhshëm i BDI-së, kërkoi nga Gjykata Administrative që të mbrojë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën me 8 maj.
“Kam pranuar raporte nga pjesëmarrës në procesin zgjedhor për shqetësime në lidhje me tentativa për inzhinjering zgjedhor me marrëveshje ndërpartiake jashtë-institucionale për votim dhe mbivotim në Komisionin Shtetëror Zgjedhor në lidhje me ankesat e dorëzuara simptomatike nga ana e pjesëmarrësve në zgjedhje”, deklaroi Xhaferi.
Ai theksoi që ka tentim për ndryshimin e rezultatit zgjedhor me qëllim ndryshimin e raportit të numrave në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut
“ Kredibiliteti i zgjedhjeve dhe procesit demokratik, i pranuar dhe përshëndetur nga të gjitha partitë dhe komuniteti ndërkombëtar, tash është në duart e gjykatës administrative dhe unë ftoj të gjitha institucionet të veprojnë në përputhje me Ligjin, pa direktiva partiake ose politike nga cilado palë, dhe të mbrojnë kredibilitetin e procesit zgjedhor deri në fund, pa hedhur asnjë njollë mbi vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje”, deklaroi Xhaferi.