Dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në dokumente dhe targat ilegale nuk do të diskutohen në takimin e 18 gushtit në Bruksel, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç
Në një prononcim për mediat, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu tha se vendimet janë të institucioneve të Kosovës dhe të parapara edhe në marrëveshjet e kaluara të Brukselit, ndaj nuk mund të jetë temë e diskutimit.
Megjithatë, ai nuk tregon se cila do të jetë agjenda e takimit, teksa shton se nuk do të ketë takim në nivel të kryenegociatorëve, para atij të nivelit të lartë.
Për agjendën e takimit do t’ju njoftojmë me kohë. Vendimet për targa dhe dokumente për hyrje-dalje janë vendime të qeverisë, që janë të parapara edhe në marrëveshjet për të cilat palët janë dakorduar në të kaluarën, andaj ato nuk mund të jenë temë diskutimi e këtij takimi”, tha Kryeziu në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Detaje për takimin e 18 gushtit nuk jep as zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.“Mund të konfirmoj se pasi Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell ftoi të dyja palët në Bruksel, presidenti Vuçi1 dhe kryeministri Kurti e pranuan ftesën e tij dhe ata do të priten në Bruksel më 18 gusht nga Përfaqësuesi i Lartë dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajçak për të diskutuar rrugën përpara në dialogun Beograd-Prishtinë. Do të ndajmë më shumë detaje rreth logjistikës dhe agjendës më afër ditës së takimit”, thekson ai.