Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se në takimin e Qeverisë së Kosovës me atë të Maqedonisë së Veriut e cila do të mbahet nesër, duhet të diskutohet çështja e përndjekjes dhe arrestimit të veteranëve të UÇK-së.
Siç shkruan ai në Facebook, përndjekja e tyre cenon raportet ndërshtetërore.
“Së pari, përndjekja dhe arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, siç ndodhi gjatë këtij viti, është i papranueshëm dhe cënon raportet tona ndërshtetërore. Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë me këmbëngulje që raste të tilla, të cilat po ndodhin tani me qeverinë e re në Maqedoni të Veriut, të mos përsëriten më. Sot, asnjë veteran i UÇK-së nuk është i sigurt të kaloj kufirin me Maqedoninë e Veriut, për shkak të rrezikut që ku shtet të zbatojë fletë-arrestet e Serbisë kundër luftëtarëve të lirisë”, ka shkruar kreu i PDK-së, njofton Klankosova.tv.
Një çështje tjetër e cila sipas Krasniqit duhet të diskutohet është edhe ajo e të drejtave themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe.
“Së dyti, të drejtat themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe, duhet të mbrohen me vendosmëri. Qeveria e Kosovës, e posaçërisht politikanët shqiptarë që janë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duhet të ngrisin zërin dhe të angazhohen që përdorimi i gjuhës shqipe të mos i cënohet askujt dhe askund. Çdo përpjekje për t’i cenuar këto të drejta duhet të ndalet menjëherë”, ka shkruar Krasniqi, njofton Klankosova.tv