Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, realizoi takim me Ambasadorin Kilijan Val, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup. Ata biseduan lidhur me zhvillimet aktuale në shtet, reformat në sistemin gjyqësor dhe iniciativën për përgatitjen e Kodit të ri Zgjedhor. Lloga e njoftoi Ambasadorin Val se VMRO-DMNE-së u është dërguar një kërkesë me shkrim që të propozojnë një anëtar të tyre për grupin punues dhe kryesues, por ende nuk është marrë asnjë përgjigje.
Ambasadori Val, poashtu u njoftua me aktivitetet të cilat i ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë, agjendën legjislative si dhe për aktivitetet e ardhshme të cilat do të duhet të zbatohen me qëllim që të mundësohet sundimi i të drejtës. Përfaqësuesit e Misionit të OSBE-së në Shkup u informuan edhe me procesin e zgjidhjes institucionale të problemit të personave të cilët janë të paevidentuar në librin amzë dhe pritshmërinë që kjo çështje të rregullohet deri në fund të vitit 2024.