27.3 C
Tetovo
E mërkurë, 26 Qershor, 2024
BallinaLajmeTakim i kryetarit të Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi me presidentin e...

Takim i kryetarit të Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, realizoi takim me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po qëndron në Shkup, në kuadër të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (PBEJL).
Në takim, bashkëbiseduesit iu referuan në mënyrë të veçantë bashkëpunimit midis të dy vendeve, duke u pajtuar se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kultivojnë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore dhe miqësi të sinqertë, ndonëse, siç theksuan, ka gjithmonë hapësirë për komunikim më intensiv, si në planin bilateral, ashtu edhe në planin rajonal, si dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Të dy vendet tona gjithmonë kanë pasur qëllime të përbashkëta drejt të cilave shkojmë së bashku, tha Kryetari i Kuvendit të RMV-së, duke theksuar se Maqedonia e Veriut para disa vitesh u përballë me pengesën në rrugën drejt NATO-s, ku tani është anëtare e plotfuqishme. Në këtë kontekst, Kryetari Gashi shpreson se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria këtë herë do të vazhdojnë të përparojnë së bashku në rrugën drejt BE-së dhe se në të njëjtën ditë do të bëhen anëtare të plotfuqishme.
Presidenti i Shqipërisë theksoi se reformat e ndërmarra nga të dyja vendet në lidhje me integrimin europian nuk janë vetëm për realizimin e kritereve të BE-së, por mbi të gjitha për zhvillimin e vendeve dhe për arritjen e përfitimeve për qytetarët.
Si bartës të funksioneve publike, tha Begaj, duhet të jemi të fokusuar në të tashmen dhe në krijimin e një të ardhmeje më të mirë, me qëllim që t’u lëmë brezave të rinj një rajon të zhvilluar dhe të begatë.
Bashkëbiseduesit iu referuan edhe Sesionit të 11-të Plenar të Asamblesë Parlamentare të PBEJL-së, që do të mbahet nga 18 deri më 20 qershor në Kuvendin e RMV-së, pas së cilës Shqipëria duhet të marrë kryesimin njëvjeçar të këtij procesi nga Maqedonia e Veriut.
Kjo është edhe një tjetër shenjë e përkushtimit tonë për thellimin e bashkëpunimit rajonal, tha Gashi, duke u shprehur i kënaqur që në fund të këtij sesioni plenar do t’ia dorëzojë kryesimin e AP-së së PBEJL-së Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë.
Në drejtim të thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si dhe ndërmjet të gjitha vendeve të rajonit, Kryetari Gashi theksoi se prioritet duhet të jenë edhe projektet infrastrukturore. Në këtë mënyrë, siç tha Gashi, do të sigurohet lidhja më e mirë midis shteteve dhe qytetarëve, si parakusht edhe për avancimin ekonomik të rajonit në tërësi. Duhet të vazhdojë ndërtimi i rrugëve, lidhshmëria energjetike dhe hekurudhore në kuadër të Korridorit 8, me qëllim që të rritet shkëmbimi i njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, për të cilat ekziston potencial i madh, tha Kryetari Gashi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments