Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi sot priti në takim ambasadoren e Republikës së Kroacisë, Nives Tiganj.
Siç theksohet në kumtesë, në takim është diskutuar për situatën në vend dhe rajon, ndryshimet qeveritare dhe kushtetuese si dhe rrugën e integrimit evropian.
“Marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve janë të shkëlqyera. Maqedonia e Veriut dhe Kroacia kanë raporte të mira në të gjitha fushat dhe Kroacia ka qenë mbështetëse në rrugën drejt NATO-s por edhe drejt Bashkimit Evropian, rrugë që vendi duhet ta përshpejtojë duke u bërë bashkë në frontin evropian”, thuhet në kumtesën e kabinetit të zëvendëskryeministrit të parë.
Grubi tha se në procesin për reforma në vendin tonë shpesh janë marrë parasysh shembujt dhe reformat pozitive në Kroaci, të cilat kanë rezultuar suksesshëm dhe shumë bashkëpunime janë vendosur me Kroacinë.
Ambasadorja Tiganj ka theksuar madje mbështetjen e plotë për ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e komunitetit kroat në kushtetutë si dhe për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në BE.Ndryshe, Grubi prezantoi planin qeveritar për frontin evropian dhe ndryshimet kushtetuese dhe kërkoi mbështetjen kroate por edhe të vendeve tjera të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në realizimin e synimeve integruese.