Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka marrë vendim që të zvogëlojë shumën që duhet të paraqesin studentët që vijnë nga vendet përreth e që do të studiojnë në Prishtinë.
Sveçla ka thënë se më herët studentët kanë qenë të detyruar të dëshmojnë qarkullimin financiar prej 2 mijë e 500 eurosh, ndërsa me vendimin e ri shuma do të jetë 500 euro, transmeton Telegrafi.
“Deri tani në vendin tonë të gjithë nxënësit e mësimit parauniversitar edhe studentët që kanë ardhur nga vendet përreth kanë qenë të detyruar të dëshmojnë qarkullim financiar prej 2500 eurosh. Kjo gjë ka paraqitur shumë telashe për studentët, sidomos ata shqiptarë nga Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Mali i Zi. Si ministër i MPB-së sot kam marrë vendim që këtë shumë ta zvogëloj në mënyrë drastike në vlerë prej 500 eurosh”, ka thënë ai.
Ministri ka shkruar tutje se “Kudo që do të jetë e mundur do të përpiqemi ta lehtësojmë jetën e qytetarëve e bashkëkombasve tanë, veçanërisht jetën studentore, të cilën të gjithë e kemi kaluar dhe jemi përballur me shumë sfida”.