Autoritetet në Kosovë u kanë dorëzuar familjarëve trupat e 3 serbëve të vrarë në Veri, gjatë sulmit terrorist mbi Policinë në Banjskë të Zveçanit.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e Kosovës, sipas të cilave, trupat e viktimave janë tërhequr nga familjarët e tyre pas përfundimit të autopsisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Kujtojmë se sulmi ndaj Policisë së Kosovës ndodhi në 24 shtator, ku mbeti i vrarë një efektiv dhe 3 prej terroristëve.
Ky akt terrorist u dënua nga SHBA, BE dhe vendet e rajonit, të cilat kërkuan që autorët e sulmit të dalin para përgjegjësisë.
Kujtojmë se Serbia mohoi të ketë gisht në organizimin e sulmit terrorist në Banjskë, por autoritetet e shpallën të mërkurën zi kombëtare për të nderuar 3 terroristët e vrarë nga policia e Kosovës.
Po ashtu ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiç, pranoi se ishte pjesë e grupit që sulmoi Policinë e Kosovës.