Dy shpërthime me shok-bomba kanë ndodhur në orët e vona të së premtes në Mitrovicën e Veriut, konfirmuan nga Policia e Kosovës për Radion Evropa e Lirë.
Zëvendësdrejtori rajonal për veri, Veton Elshani, tha se njëri shpërthim ka ndodhur në afërsi të stacionit policor dhe një tjetër afër Shkollës Teknike.
“Mbrëmë kanë ndodhur dy shpërthime, njëra afër stacionit policor në Mitrovicë të Veriut dhe një tjetër në qytet, afër Shkollës Teknike. Nuk ka dëme, nuk ka lëndime dhe policia ka qenë në veri në krye të detyrave të saj në numër të mjaftueshëm dhe të nevojshëm, si gjithmonë”, tha Elshani.
Elshani tha se sa i përket komunave të tjera në veri, të shtunën situata është e qetë dhe në Leposaviq ka një numër të vogël protestuesish.
Edhe në orët e para të 16 qershorit, stacioni policor në Mitrovicë të Veriut ishte cak i një sulmi me shok-bomba. Po ashtu, me shok-bomba u sulmua edhe stacioni policor në Zveçan.
Këto sulme me shok-bomba po ndodhin në kohën kur tensionet në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj./REL/