https://koha.mk/studentet-i-kerkojne-shasivarit-te-mos-flase-ne-emrin-e-tyre/
Shqiptare, Besar Sejdiu dhe Jon Selimi, kanë reaguar ashpër ndaj interpretimeve publike që, sipas tyre, po relativizojnë kërkesën legjitime të studentëve shqiptarë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke aluduar qartë ndaj qëndrimeve të fundit të profesorit Jeton Shasivari. Ky i fundit, në dy shkrime të tij thotë se “studentë që protestuan po i kërkojnë interpretim”, ndërkohë që nga Lëvizja Studentore thonë se “nuk mund ti kërkohet ndihmë atij që nuk i mbështeti dhe nuk doli në protestës sikurse shumë profesorë tjerë”.
Në reagimin e tij, Besar Sejdiu kërkon përgjegjësi nga të gjithë ata që dalin publikisht dhe komentojnë në emër të studentëve, duke theksuar se kauza për gjuhën shqipe nuk mund të përdoret për opinione individuale që devijojnë thelbin e kërkesës.
Lutje publike për të gjithë ata që flasin në emër të studentëve. Kjo kauzë nuk është vend për mendime individuale të shpërndara pa përgjegjësi, por për një qëndrim të përbashkët që duhet ruajtur. Kërkesa e studentëve është e qartë. Nëse dikush dëshiron të japë mendim, të paktën kërkojmë ta bëjë duke mos u thirrur në emër të studentëve. Tregoni përgjegjësi. Çdo fjalë ka peshë”, ka deklaruar Sejdiu.
Edhe Jon Selimi ka kundërshtuar ashpër përpjekjet për, siç thotë ai, “interpretime paternaliste” të qëndrimeve studentore, duke nënvizuar se studentët janë të aftë të artikulojnë vetë kërkesat e tyre pa ndërmjetësues.
“Ju lutem, kurseni ‘analizat’ në emrin e studentëve! Nuk kemi nevojë për ‘ekspertë’ që të na interpretojnë, qëndrimet tona i themi vetë, shumë qartë! Dhe, për më tepër, i kuptojmë fare mirë edhe Presidenten edhe Ministrin e Drejtësisë”, është shprehur Selimi.
Ky reagim vjen në një kohë kur debatet rreth të drejtës së studentëve shqiptarë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe janë intensifikuar, ndërsa polemika janë shtuar pas opinioneve të profesorit Jeton Shasivari, i cili është kritikuar nga studentët për relativizim të kërkesës së tyre dhe për mbrojtje indirekte të qëndrimeve që mohojnë përdorimin e shqipes, përfshirë edhe ato të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova.
Studentët ritheksojnë se kërkesa e tyre nuk është çështje interpretimi akademik apo debati teorik, por një e drejtë konkrete, e mbështetur në Kushtetutë dhe në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, që sipas tyre nuk mund të relativizohet nga askush.
