Punimet në stadiumin e Tetovës për momentin po pushojnë, për shkak se po pritet marrja e lejes për ndërtim. Stadiumi ka pasur leje për rikonstruim, ndërsa sipas Kasamit edhe leja për ndërtim do të bëhet shpejt.
“Ka pas leje për rikonstruim të stadiumit dhe presim lejen për ndërtim. Unë besoj se duhet të jetë edhe leja”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës Tetovës.
Këshilli komunal këtë javë mbajti seancë të jashtëzakonshme, me çka është vendosur që stadiumi të lirohet nga tarifa komunale. Nga komuna thonë se stadiumi duhet të përfundojë për 3 vjet e ndoshta edhe më shpejt.
“Leja për ndërtimin e stadiumit është ende në proces. Këshilli i komunës ka bërë lirimin e pagesës nga tarifat komunale. Pasi të merret leja e ndërtimit dhe të caktohet mbikëqyrësi i punimeve ndërtimore, do të fillojë një fazë më intensive e ndërtimit. Në bazë të kontratës, stadiumi duhet të përfundojë brenda një afati kohor prej 3 vitesh. Megjithatë, ka një pritshmëri që ndërtimi të përfundojë më shpejt”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Projekti për ndërtimin stadiumin e Tetovës do të kushtoj 9.7 milionë euro. Ndërsa kompania që ka fituar tenderin është “E-Property DOOEL Tetovë”.