4.6 C
Tetovo
E martë, 26 Nëntor, 2024
BallinaLajmeSpitalet private të parët, “SISTINA’ vjet fitoi 5.3 milion euro

Spitalet private të parët, “SISTINA’ vjet fitoi 5.3 milion euro

Spitalet private në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të realizojnë të ardhura të mëdha. Përskaj fitimeve të mëdha, po vazhdon edhe partneriteti me partnerë të rinj. Pas hyrjes së spitalit turk “Axhibadem” 12 vite më parë, me një investim prej më shumë se 20 milionë euro në spitalin Sistina, është paralajmëruar edhe partneritet i ri i spitalit “Zhan Mitrev” me një kompani holandeze, pas së cilës përflitet se qëndron Spitali amerikan në Shqipëri. Në ndërkohë, qytetarët kanë kërkuar shërbimet e spitaleve private, duke kërkuar shërbime të shpejta shëndetësore, shpesh për raste urgjente ku nuk mund të presin për ndonjë shërbim në spitalet publike. Shërbimet e spitaleve private kanë një gamë të gjerë shërbimesh si operacione të ndryshme, ekzaminime, incizime me aparate të ndryshme e kështu me radhë. Ndër shërbimet më të shpeshta që shfrytëzohen nga qytetarët janë edhe ato të kardiologjisë, gjinekologjisë, pediatrisë, okulistikës…

Të dhënat tregojnë se edhe pas përfundimit të pandemisë, në spitalet “Axhibadem Sistina”, Zhan Mitrev”, “Remedika”, ka vazhduar fluksi i madh i pacientëve në spitalet private. Analizat tregojnë se në vitin e kaluar në këto spitale nga xhepat e qytetarëve apo përmes sigurimit privat shëndetësor janë derdhur afër 80 milionë euro. Kjo është për 36 milionë euro më pak se në vitin 2021 kur ishte kulminacioni i pandemisë. Vite më parë janë shënuar edhe raste kur mjekimi në disa nga këto spitale, ka kushtuar edhe mbi 10 mijë euro, ndërsa qytetarët kanë hyrë edhe në borxhe nëpër banka për të gjetur derman për familjarët e tyre. Andaj, si rrjedhojë e rritjes së madhe së kërkesës për shërbimet e tyre në kohë të pasojave shpesh aq të rënda për shëndetin të Kovid-19, është rritur dukshëm edhe xhiroja, por edhe fitimet e shëndetësisë private. Analizat tregojnë se spitali “Axhibadem Sistina” në vitin 2022, ka pasur të ardhura prej afër 51 milionë euro dhe fitim prej 5.3 milionë euro. Në vitin 2021, ky spital ka pasur të ardhura prej 62 milionë euro dhe fitim prej afër 17 milionë euro. Ky spital muaj më parë bleu për 1.5 milion euro, tokën nga kompania farmaceutike “Replek”, e cila ndodhet në afërsi të spitalit “Axibadem Sistina”. Për këtë lokacion është siguruar një leje ndërtimi prej 40 mijë metrash katrorë , ndërsa planifikohet ndërtimi edhe i një spitali pediatrik Nëna dhe Fëmijë” si dhe fakultet privat i mjekësisë.

Spitali “Remedika”, si spitali i parë privat në vend, në vitin 2022 shënoi të ardhura prej 8.8 milionë euro dhe fitim prej 1.2 milion euro, ndërsa një vit më parë apo në vitin 2021 shënoi të ardhura prej 9.9 milionë euro dhe fitim prej 2.3 milionë euro. Në vitin e kaluar është shënuar edhe ikja e disa specialistëve mjekësor nga spitali “Remedika”, në spitalin “Sistina”, si dhe e një pjese të specialistëve nga spitali “Zhan Mitrev”. Në muajt e fundit të vitit të kaluar spekulohej se Remedika, mund të blihet nga ish kryeministri Zoran Zaev dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, mirëpo nga Remedika hodhën poshtë pretendimet e tilla. Largimet e një pjese të stafit mjekësor i shpjeguan si pjesë e ofertës më të volitshme apo asaj kush paguan më shumë në treg, duke shtuar se mjekët që kanë ikur do të zëvendësohen në mënyrë të denjë nga mjekët e ri, disa prej të cilëve kanë qenë edhe asistentë të tyre.

Nga ana tjetër, spitali “Zhan Mitrev” në vitin 2022 ka pasur të ardhura prej afër 20 milionë euro dhe humbje prej afër 426 mijë euro. Ky është një përgjysmim i të ardhurave në krahasim me vitin 2021 kur ai shënoi afër 32 milionë euro të ardhura, përderisa është ulur edhe fitimi nga 9.2 milionë euro në vitin 2021 në punën me minus në vitin 2022. Aktualisht, ndaj kësaj klinike po udhëhiqet një rast gjyqësor ku prokuroria duhet të dëshmojë pretendimet e saja, për mashtrim të pacientëve duke fshehur fakte në lidhje me trajtimin e COVID-19 me hemofiltrim. Gjithashtu, javën e kaluar nga Klinika “Zhan Mitrev” kanë bërë të ditur se janë në negociata përfundimtare për partneritet strategjik me fondin holandez, Balkan Alliance Healthcare. Negociatat kanë të bëjnë me hyrjen e Fondit si partner në Klinikë, që do t’i mundësojë këtij institucioni më të lartë shëndetësor të zgjerojë aktivitetet e tij dhe të rris standardet në mjekësi në Maqedoni në një nivel edhe më të lartë. “Ky partneritet strategjik është një mbështetje e projektit tashmë të nisur për të shndërruar Klinikën ‘Zhan Mitrev’ në një qendër mjekësore rajonale. Në këtë mënyrë, ne bëhemi financiarisht më të fortë për t’u rritur më shpejt dhe për t’u zhvilluar në një qendër të vërtetë rajonale me ofrim të shërbimeve shëndetësore me standarde shumë më të larta.”, thonë nga kjo klinikë Përflitet se pas këtij fondi qëndrojnë pronarët e spitalit amerikan në Tiranë dhe Prishtinë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments