5.1 C
Tetovo
E enjte, 14 Nëntor, 2024
BallinaLajmeSpiropali takim me kreun e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi:...

Spiropali takim me kreun e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi: Respektimi i gjuhës shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve i shërben integrimit europian

Me ftesë të kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, sot po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë, kreu i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Gjatë takimit, Spiropali nënvizoi se vizita në Tiranë e homologut të saj nga RMV e cila zhvillohet pak kohë pas vizitës së saj në Shkup, dëshmon bashkëpunimin e ngushtë dhe intensiv mes dy kuvendeve.

Kryeparlamentarja ka theksuar se “Shqipëria synon që të anëtarësohet në Bashkimin Europian deri në 2030 dhe kjo datë është një objektiv ambicioz, por i realizueshëm”. “Ky moment pozitiv për Shqipërinë duhet parë me pozitivitet nga i gjithë rajoni.

Anëtarësimi në Bashkimin Europian është një proces i bazuar në merita, zbatimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve të BE-së dhe jo nga faktorë a rrethana të tjera. Çështjet bilaterale mes vendeve kandidate dhe anëtare të BE-së nuk duhet të bëhen pengesë në procesin e anëtarësimit”, tha ajo.

Spiropali ka shtuar se “Shqipëria shpreson që Maqedonia e Veriut të zhvillojë sa më shpejt Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me BE sepse dy vendet tona janë një vlerë e shtuar për Bashkimin Europian”.

Dy kryeparlamentarët kanë biseduar edhe sa i takon bashkëpunimit dypalësh në fushën e integrimit evropian por edhe krijimi i mekanizmave të përbashkët për shkëmbimin e informacionit e përvojave do të rrisë efikasitetin e reformave.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë të angazhuara fuqimisht në nismat rajonale, si Procesi i Berlinit, i cili ndihmon në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike, sociale dhe politike”, vijoi Spiropali.

Një vëmendje të veçantë gjatë këtij takimi i është kushtuar edhe rolit e kontributit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në qeverisjen dhe ruajtjen e stabiliteitt të vendit. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali ka deklaruar se respektimi i gjuhës shqipe dhe të drejtave të fituara të shqiptarëve i shërben integrimit europian të Maqedonisë së Veriut.

“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut jetik në qeverisje dhe ruajtjen e stabilitetit të vendit dhe kanë rol vendimtar në proceset euroatlantike dhe ruajtjen e orientimit të vendit drejt perëndimit dhe vlerave perëndimore, kaq shumë i rëndësishëm sidomos në kushtet aktuale të zhvillimeve gjeopolitike në Evropë dhe më gjerë. Respektimi i gjuhës shqipe dhe të drejtave të fituara të shqiptarëve i shërben kohezionit, mirëkuptimit dhe integrimit europian të Maqedonisë së Veriut”.

“Ne inkurajojmë një klimë më të favorshme të bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve të bizneseve shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Korridori VIII është shumë më tepër se një projekt infrastrukturor, është një projekt i madh strategjik, një mekanizëm zhvillimi, bashkëpunimi, integrimi dhe sigurie në rajon dhe më gjerë”, është shprehur ndër të tjera Spiropali.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments