Situata e sigurisë në vend është e qetë dhe nuk mund të eskalojë si pasojë e protestave kundër propozimit francez, thotë ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Sipas tij, pohimet e presidentit Stevo Pendarovski për përfshirjen e agjentëve të huaj janë të sakta, por në këtë moment ministri nuk ka dashur të ndajë informacione me opinionin sepse do të rrezikohej identifikimi i tyre.
Meqë ra fjala, policia bëri një numërim të të lënduarve nga protestat shtatëditore në Shkup. Gjithsej 54 punonjës policie kanë mbetur të plagosur, dy prej tyre në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.
Lidhur me motivin e incidentit të 6 korrikut në sheshin Skënderbej, Spasovski përgënjeshtroi liderin e opozitës, Hristijan Mickoski, i cili tha se personi i paraqitur me armë zjarri ka pasur për qëllim të vrasë Mickoskin.
Sipas Spasovskit, i gjithë rasti është zbardhur me arrestimin e të gjithë personave të përfshirë në incident. Ndërkohë 22 persona janë arrestuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe nxitje të rrezikut publik. Prej tyre 15 kanë marrë kallëzime penale, 12 janë në paraburgim, ndërsa kallëzime ka edhe për tre të mitur. burimi