Qeveria spanjolle ka miratuar një projektligj për reduktimin e javës zyrtare të punës nga 40 në 37.5 orë, një hap që synon përmirësimin e produktivitetit dhe mirëqenies së punonjësve. Projektligji do të kalojë tani në parlament për miratim, ku qeveria e kryeministrit Pedro Sánchez përballet me sfidën e mungesës së një shumice të qartë.
Sipas Ministrisë së Punës, rreth 12.5 milion punonjës të sektorit privat me kohë të plotë dhe të pjesshme do të përfitojnë nga ndryshimi. Ministrja e Punës, Yolanda Díaz, e cila përfaqëson partinë e majtë Sumar, u shpreh se ky është një hap drejt modernizimit të botës së punës dhe rritjes së lumturisë së qytetarëve.Masa tashmë aplikohet për nëpunësit civilë dhe disa sektorë publikë, por me ligjin e ri do të shtrihet në sektorë kyç si shitja me pakicë, mikpritja, ndërtimi dhe prodhimi – sektorë që përbëjnë një pjesë të madhe të fuqisë punëtore.
Projektligji ka marrë mbështetje nga sindikatat kryesore të vendit, ndërsa është kundërshtuar nga shoqatat e biznesit. Spanja ka pasur një javë pune 40-orëshe që prej vitit 1983, kur orari u ul nga 48 orë.
Nisma vjen pas eksperimenteve të ndryshme pas pandemisë COVID-19, përfshirë një projekt pilot në Valencia që testoi një javë pune katërditore. Rezultatet treguan përfitime të qarta për punonjësit, përfshirë ulje të stresit dhe zakone më të shëndetshme jetese.