Nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion po zhvillohet një aksion i gjerë antidroge në Tiranë dhe në periferi të saj.
Burime për Top Channel bënë me dije se aksioni vjen pas një hetimi disamujor, ndërsa dyshohet se në një banesë private në Qerekë të Niklës, në Fushë-Krujë, është zbuluar një laborator kokaine.
Kontrollet vijojnë edhe në zona të tjera të kryeqytetit, kryesisht në disa banesa, ndërsa ka pasur edhe disa të arrestuar, por ende nuk dihet saktësisht numri, pasi operacioni vijon. Në shënjestër mendohet se është një grup kriminal që shpërndan lëndë narkotike të forta.
Detaje të reja janë mësuar nga operacioni anti-drοgë që është zhvilluar mbrëmjen e kësaj të premteje në Tiranë dhe Fushë Krujë. Forca të shumta policie janë parë në atë që njihet si “Kodra e Diellit 2”. Kontrolle janë ushtruar edhe në fshatin Qerekë të Fushë Krujës.
Mediat raportojnë se disa persona janë ndaluar nga policia. Sipas të dhënave të policisë bëhet fjalë për sasi të mëdha kokaine që ka trafikuar grupi. Është gjetur sasi kokaine te banesa ne Qerekë dhe përzierës. Ndërsa te Kodra e Diellit 2 dyshohet për laborator droge.
Sipas të njëjtave burime, dyshohet se të ndaluarit kanë bashkëpunuar edhe me grupe të huaja kriminale. Në këtë aksion, i kanë ardhur në ndihmë policisë shqiptare edhe organe ligj-zbatuese ndërkombëtare. Gjithashtu kontrolle janë zhvilluar dhe në disa vila në bregdet. Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga policia e Tiranës për këtë çështje.