Liderët e partive politike sot mblidhen në takim tek presidenti Stevo Pendarovski. Takimi fillon prej orës 13 dhe në të të ftuar janë kryetarët e partive politike parlamentare nga pushteti dhe opozita, të cilët në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë fituar mandate të deputetit me lista të pavarura, kumtoi Kabineti i presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski.
Liderët pritet të diskutojnë për situatën aktuale me pandeminë dhe për datën eventuale të organizimit të zgjedhjeve.
Siç kanë informuar edhe nga kabineti i presidentit, në takim janë të ftuar kryetari i: LSDM-së – Zoran Zaev, BDI-së – Ali Ahmeti, VMRO-DPMNE-së – Hristian Mickoski, Aleancës për Shqiptarët – Ziadin Sela, Alternativës – Afrim Gashi, Lëvizjes BESA – Bilall Kasami dhe PDSH-së – Menduh Thaçi.
Pos tyre në takimin e liderëve janë ftuar edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe kryetari i Qeverisë, Oliver Spasovski.