Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar pas kritikave që kryeministri Hristijan Mickoski i ka dërguar kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, për mosvendosjen e flamujve shtetërorë më 28 Nëntor – një situatë e ngjashme me atë të Izet Mexhitit në Çair.Snopçe pyet publikisht pse kryeministri nuk ka vepruar me të njëjtën zell ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili, sipas tij, “e ka thyer ligjin që ditën e parë të mandatit”, duke u dërguar mbi 40 mijë mesazhe qytetarëve shqiptarë vetëm në gjuhën maqedonase, në kundërshtim me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
“Pse Mickoski sheh ‘shkelje’ vetëm kur bëhet fjalë për kryetarë shqiptarë? Pse nuk i dërgoi asnjë mesazh ministrit të tij, i cili e ka shkelur ligjin rreth 40.000 herë? Standardet e dyfishta nuk mund të jenë praktikë qeverisëse,” – theksoi Snopçe.
Deputeti i ASH-së kërkon që institucionet të trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjitha shkeljet ligjore dhe që qeveria të respektojë detyrimet ndaj gjuhës shqipe, si gjuhë zyrtare.
Në fund, Snopçe shtoi se Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të monitorojë çdo rast të moszbatimit të ligjit dhe do të kërkojë llogari nga të gjithë, “pa dallim partie, funksioni apo etnie”.
