27.6 C
Tetovo
E hënë, 28 Korrik, 2025
BallinaEkonomiSllaveski: Tre bankat më të mëdha paralajmëruan ulje të tarifave për shërbimet...

Sllaveski: Tre bankat më të mëdha paralajmëruan ulje të tarifave për shërbimet e pagesave

Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski paralajmëron se tre bankat më të mëdha në vend së shpejti do të publikojnë plane të reja tarifore për shërbimet e pagesave.

Kjo vjen pas dialogut që Banka Popullore e zhvilloi me sektorin bankar për të avancuar qasjen e qytetarëve në shërbime më efikase dhe më të kapshme.

“Ndërhyrja jonë në SIBPM ka liruar një sasi të konsiderueshme fondesh për bankat dhe ka ulur kostot e tyre operative. Me këtë është krijuar hapësirë për transferimin e një pjese të këtyre kursimeve te klientët, përmes uljes së tarifave – diçka që tashmë po e shohim si rezultat”, ka thënë guvernatori Sllaveski për “Triling”.

Ai thekson se Banka Popullore, megjithëse është rregullator, zhvillon dialog të vazhdueshëm me sektorin bankar dhe vepron si partner me qëllim avancimin e shërbimeve dhe rritjen e kënaqësisë te shfrytëzuesit.

“Po flasim me bankat për të shkuar një hap më tej – drejt një politike tarifore të arsyeshme dhe shoqërore të përgjegjshme. Nuk është vetëm në interes të klientëve, por edhe bankave, të cilat përmes lëvizjeve të tilla forcojnë imazhin e tyre dhe besimin tek publiku”, thotë Sllaveski.

Ai pret që bankat e tjera së shpejti ta ndjekin shembullin e tre bankave më të mëdha në vend.

“Banka Popullore edhe në të ardhmen do të jetë e përkushtuar në krijimin e një kornize rregullatore që do të nxisë zhvillimin e shërbimeve financiare cilësore dhe efikase në dispozicion të të gjithë qytetarëve dhe kompanive në vend”, thonë nga Banka qendrore.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments