Skender Asani nuk do të jetë më drejtor i ITSHKSH-së, në vend të tij është emëruar Besnik Emini, njoftoi zëvendëskryeministri Arben Fetai.
“Pas 11 vitesh vjen ndryshimi edhe në udhëheqësinë e Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup. Në seancën e sotme, Qeveria e Maqedonisë së Veriut emëroi profesor Besnik Eminin si drejtor të ri të këtij institucioni të rëndësishëm për shqiptarët”, thuhet në njoftimin e Fetait.
Besnik Emini, thuhet më tej, është historian me përvojë të gjatë, punëtor i lartë shkencor në kuadër të Institutit dhe autor i një sërë studimesh në fushën e historisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
“Ai njihet për integritetin e tij akademik dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të mëtejshëm të studimeve shkencore mbi trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve. Ky ndryshim konsiderohet si një hap i domosdoshëm drejt depolitizimit dhe profesionalizimit të ITSHKSH-së, në funksion të rritjes së transparencës institucionale, forcimit të cilësisë shkencore dhe përmbushjes së misionit të tij kombëtar”, thuhet në njoftim.