Gjykata penale nuk caktoi masën e paraburgimit për katër të dyshuarit që sulmuan punonjësit në kontrollin e trafikut ajror, ndër ta edhe një figurë e lartë e BDI-së, Bekim Neziri, përcjell Nistori.
Prokuroria konsideroi se Neziri dhe tre të arrestuarit mund të arratiseshin, mund të ndikonin te dëshmitarët ose mund ta përsërisnin krimin sepse hapën hetime për një krim për të cilin dënimi minimal është 5 vjet burg. Po ashtu, shkak i kërkesës për paraburgim është bërë edhe arratisja e 4 të dyshuarve të tjerë.
Gjykata, nga ana tjetër, vlerësoi se me masa të tjera më të buta mund të sigurohet hetim efikas i ndërhyrjes dhe shkeljes së sigurisë së trafikut ajror.
Të dyshuarit do të mbeten pa pasaporta, do të duhet të paraqiten në gjykatë, nuk mund të largohen nga Shkupi apo vendbanimi i tyre dhe nuk mund të komunikojnë me viktimën të cilën e kanë sulmuar.
Në njoftimin e gjykatës nuk thuhet se atyre u ishte ndaluar hyrja në M-NAV ku ata kryen bastisjen, ndërsa kontrollorët e trafikut ajror po realizonin 28 fluturime avionësh në qiell mbi Maqedoni (dy prej tyre ishin avionë të NATO-s që drejtoheshin për në Shkup).